Te McLaren duket se ka nisur një periudhë tensioni dhe pasigurie pas garave të fundit në Formula 1. Edhe pse skuadra britanike siguroi titullin kampion për konstruktorë, rezultatet individuale të pilotëve kanë rënë ndjeshëm. Oscar Piastri dhe Lando Norris nuk kanë shënuar fitore prej disa garash, ndërsa Max Verstappen po afrohet me shpejtësi në garën për titullin kampion bote për pilotë.
Oscar Piastri, i cili vazhdon të mbajë kryesimin në renditjen e përgjithshme, e pranon se situata nuk është ideale dhe kërkon reagim urgjent.
“Nuk ka kohë për pushim, duhet të reagojmë sa më shpejt,” – tha australiani pas garës së Austin, ku pati një fundjavë zhgënjyese.
Piastri shtoi se gara në Baku kishte qenë sfiduese, por Austin ishte fundjava e tij më e dobët të gjithë sezonit. Megjithatë, ai mbetet optimist:
“Jam i bindur se ishte një incident i izoluar. Tani është një betejë trepalëshe për titullin, por ne ende e kontrollojmë fatin tonë. Makinën e kemi të fortë dhe mendoj se disa nga pistat e ardhshme na favorizojnë.”
McLaren pritet të rikthehet më e motivuar në Çmimin e Madh të Meksikës, ku ekipi kërkon të tregojë se kriza është vetëm e përkohshme dhe se lufta për titullin vazhdon me intensitet të plotë.







