Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese komentet mbi pretendimet e partive opozitare kundër Ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Ajo ka shkruar në Facebook se opozita po vazhdon të ndalojë “konceptin e konfiskimit civil në Kosovë”, derisa ka thënë se ata që e kanë keqpërdorur detyrën dhe janë bërë milionerë nga politika s’do të amnistohen.
“Duke qenë që për herë të dytë radhazi ky Ligj po kontestohet nga opozita në Gjykatën Kushtetuese dhe kur tashmë kemi adresuar secilën kërkesë të Gjykatës në raport me të njëjtin, urojmë që Gjykatës nuk do t’i duhen sërish 16 muaj për të nxjerrë Aktgjykim. Siç e kemi thënë, ata që e kanë keqpërdorur detyrën e janë bërë milioner nga politika nuk do të amnistohen”, ka thënë ministrja e Drejtësisë.
Në 2024-n, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Në vendim, Kushtetuesja i kishte vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën katër nene të këtij ligji.
Vendimin, Haxhiu e kishte cilësuar “sabotim në reformën për drejtësi”.