Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka refuzuar një propozim nga Kievi për ta zgjatur armëpushimin tre-ditor të njëanshëm të shpallur nga presidenti rus Vladimir Putin në fillim të majit, në një periudhë të plotë prej 30 ditësh, raporton Premium Times.
Peskov konfirmoi se Moska e kishte shqyrtuar ofertën e paraqitur nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, por theksoi se disa çështje kyçe duhet të zgjidhen më parë.
“Pa përgjigje për këto pyetje, është e vështirë të hyhet në një armëpushim afatgjatë”, tha ai, duke theksuar se kjo është pozita e presidentit Putin.
Në mars, Putin kishte paraqitur kushte kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump, propozoi një armëpushim të ngjashëm 30-ditor. Ato përfshinin kufizime për Ukrainën në përdorimin e pauzës për t’u rigrupuar dhe për t’u armatosur, si dhe një ndalim të dërgesave të armëve nga Perëndimi në Kiev. Putin nuk ofroi asnjë lëshim në këmbim.
Të hënën, Putin shpalli një armëpushim të njëanshëm nga 8 deri më 11 maj, që përkon me “Paradën Vjetore të Fitores” në 9 maj, ku Rusia përkujton përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.
Presidenti kinez Xi Jinping është ndër liderët e huaj që pritet të marrin pjesë në këtë ngjarje këtë vit në Sheshin e Kuq në Moskë. Peskov e përshkroi armëpushimin si një “gjest vullneti të mirë”, ndërsa Zelensky e cilësoi si një tjetër përpjekje të Putinit për të manipuluar situatën.