​Krasniqi: Lëvizja Vetëvendosje nuk është e interesuar që të zhbllokojë situatën në Kuvend

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk është e interesuar për zhbllokimin e krizës politike në vend.

Pas dështimit për herë të tetëmbëdhjetë të konstituimit të Kuvendit, Krasniqi tha se legjislatura e nëntë do të mund të konstituohej për 24-orë nëse LVV-ja tërhiqet nga kandidatura e Albulena Haxhiut për këtë post.

Megjithatë, ai ritheksoi pozicionin e tyre se nuk votojnë asnjë deputetë të LVV-së që ka qenë pjesë e kabinetit qeveritar në katër vitet e kaluara.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk është e interesuar që të zhbllokojë situatën. Shpreh keqardhjen ndaj gjithë qytetarëve që është bërë e tepërt dhe po dëmton vendin tonë dhe jetën e përditshme të qytetarëve. Bëj thirrje që LVV-ja dhe lideri i saj Albin Kurti të ndryshojnë kandidatin dhe të vijnë me një kandidat që mund të merr shumicën dhe të shkojmë tutje për konsitutimin e Kuvendit dhe themelimin e qeverisë”, theksoi ai.

Duke folur për mundësinë e dërgimit të kësaj çështjeje në Gjykatë Kushtetuese, ai tha se nëse vazhdohet bllokda në Kuvend atëherë presidentja mund të dërgojë pyetje kushtetuese.

Sipas tij, një gjë e tillë është diskutuar në takimin e javës së kaluar me presidenten Vjosa Osmani.

“Ne s’kemi krizë juridike por krizë politike. Në këtë situatë edhe përgjigja duhet të ishte politike dhe zgjidhja e tillë. Nëse një gjë tillë mungon atëherë duhet dikush të merret me një adresim në Gjykatën Kushtetuese siç e ka bërë AAK-ja me mbështetjen e deputetëve të partive të tjera për mënyrën e votimit. Presidentja është brenda kompetencave që ia lejojnë një gjë të tillë dhe kam kërkuar në takimin me të që në zbatim të këtyre përgjegjësive t’i drejtohet me pyetje kushtetuese. Ajo vullnetin e ka shpreh që në një moment apo pikë të caktuar të kësaj bllokade të bëjë një gjë të tillë, por se kur nuk e di”, tha ai.

Kurse sa i përket zgjedhjeve të reja, Krasniqi tha se nëse vjen ky rast atëherë PDK-ja e ka rolin e vet, mirëpo sipas tij, edhe për shkuarjen në zgjedhje nevojitet një marrëveshje politike.

“Nëse vijnë zgjedhjet dhe është diçka e pashmangshme atëherë PDK-ja e ruan rolin e vet dhe do të jetë e gatshme. Mirëpo edhe për zgjedhje nevojitet marrëveshje politike, pasi duhet të konstatohet Kuvendi në çdo rrethanë”, përfundoi ai.

I pyetur për një diskutim mes Albulena Haxhiut dhe deputetit të PDK-së Nait Hasani pas dështimit të sotëm të konstituimit të Kuvendit, Krasniqi tha se asnjë deputetë i PDK-së nuk lëvizë nga qëndrimet partiake.

“Asnjë deputetë i PDK-së asnjë milimetër nuk lëvizë nga qëndrimet. Ne nuk jemi armiq këtu. Po më vjen keq që partia parë po mundohet me krijuar një narracion të përçarjes dhe ndarjes. Në kuptimin njerëzor asnjë deputet s’ka raporte armiqësore me askënd por jemi këtu me përfaqësu qëndrimet tona politike”, tha Krasniqi./KosovaPress

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA