Halloween-i i vitit 2025 ka një mbretëreshë dhe kjo është Heidi Klum. Supermodelja dhe “Mbretëresha e Halloween-it” e njohur për transformimet e saj spektakolare, i la fansat pa fjalë edhe këtë herë, duke u shfaqur në festën e saj të “Heidiween” në Hard Rock Hotel New York si krijesa mitologjike dhe e tmerrshme, Medusa.
Këtë vit, Klum shkoi deri në fund. Lëkura e saj e skalitur me ngjyra të zeza dhe të gjelbra, “flokët” gjarpërinj animatronikë, thonjtë si gjarpërinj dhe lentet e verdha që ndriçonin e bënë të duket e frikshme dhe magnetike njëkohësisht. Transformimi kërkoi rreth 10 orë për t’u realizuar, me ndihmën e një ekipi prej më shumë se 15 personash për aplikimin e prostetikës, makiazhit dhe detajeve të hollësishme të look-ut të saj.
Edhe bashkëshorti i saj, Tom Kaulitz, u përfshi në temë, duke u shfaqur si një luftëtar i kthyer në gur nga shikimi i Medusës një referencë interesante mitologjike.
Fansat menjëherë shpërthyen në rrjete sociale, duke e quajtur “ikonik” dhe “art të nivelit tjetër për Halloween-in”. Me këtë look, Klum tregon edhe një herë se nuk po feston vetëm Halloween-in ajo po e riformëson atë.







