Përgatiti: Nora Luta
Saktësisht pas dy ditëve, më 17 tetor do të mbushet një vit prej kur presidentja Vjosa Osmani refuzoi të dekretojë Blerim Isufaj për kryeprokuror të shtetit.
Një vit pas, emri i njëjtë ka mbetur në sirtarët e zyrës së Osmanit për një vendim, duke bërë kështu që Kosova të jetë për më shumë se dy vjet me ushtrues detyre në një nga pozitat më të rëndësishme në sistemin prokurorial.
Zyra e Presidencës as të martën nuk ka kthyer një përgjigje për televizionin rreth kësaj çështjeje, teksa shoqëria civile thekson se do të duhej të kishte një vendim deri tash.
Ndonëse ushtruesi i detyrës ka kompetenca të plota, Bunjaku thekson se në praktikë ka efekt negativ.
Bunjaku dhe anëtarë të tjerë të shoqërisë civile thonë se do të duhej të përcaktohej një afat ligjor për dekretim të kryeprokurorit të shtetit.
Ndërkohë, prokurori Besim Kelmendi është ushtrues detyre i kryeprokurorit të Shtetit.
Presidentja Vjosa Osmani nuk e dekretoi Blerim Isufajn, me arsyetimin se pati shkelje ligjore gjatë përzgjedhjes, gjë që ishte kundërshtuar nga KPK-ja, e cila e kishte dërguar emrin e njëjtë sërish. Kritika kishte pasur edhe nga shoqëria civile.
Isufaj ishte renditur i pari në mesin e pesë kandidatëve për këtë pozitë, e ndryshe nga rastet e tjera, intervistat për kryeprokuror ishin zhvilluar në prani të kamerës dhe ishin transmetuar në televizionin publik.