Është përmbyllur me sukses Programi i Aranzhimit për Gatishmëri (SBA) për Kosovë në shumë prej 100 milionë eurosh dhe aranzhimi Resilience and Sustainability Facility në shumë prej rreth 80 milionë eurosh.
Në konferencën e përbashkët për media, e cila u organizua nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Banka Qendrore e Kosovës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, është theksuar progresi i arritur nga programet.
Ministri në detyrë i Financave Hekuran Murati tha se të dyja këto programe ishin dakorduar dy vjet më parë pas një serie negociatash dhe kishin për qëllim mbështetjen për shtetet që përmbushin politikat fiskale. Ai nënvizoi se Kosova është bërë shteti i parë në Evropë dhe rajon që përfitoi nga ky program.
“Që të dyja këto programe ishin dakorduar dy vjet më parë pas një sërë negociatash dhe si synim kanë pasur që të mbështes shtetet që performojnë mirë nga aspekti i politikave fiskale dhe Kosova u bë shteti i parë në Evropë dhe rajon që kishte përfituar nga ky program. Synimi kryesor i programit është rritja e kapaciteteve të energjisë së ripërtërirë, më konkretisht e kemi pasur tash së fundi lansimin e ankandit për energji me erë me kapacitet prej 150 megavat, por kanë qenë edhe masa tjera. Ndërkaq, me programin e aranzhimit për gatishmëri (SBA) është synuar ruajtja e stabilitetit makroekonomik, por edhe përshpejtimi i zbatimit të reformave që mundësojnë rritje ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Që të dyja programet kanë zgjatur dy vjet dhe Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret, prandaj në këtë rast me rishikimin e fundit që përmbyllet sot Kosovës i vihen në dispozicion edhe pjesa e mbetur e mjeteve, pra që janë 16 milionë nga programi i aranzhimit për gatishmëri si dhe 10 milionë tjera nga programi i rezilencës dhe qëndrueshmërisë do të disbursohen në llogarinë e qeverisë së Kosovës, ndërkaq programi i aranzhimit për gatishmëri mbetet në gjendje gatishmërie në rast se është e nevojshme”, tha Murati.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili tha se bankat vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në mbështetje të ekonomisë reale. Raporti i kredive dhe depozitave ka arritur në 84.6 për qind, me një rritje dyshifrore në kredi dhe depozita.
“Kjo arritje reflekton angazhimin tonë të përbashkët dhe të palëkundur për stabilitetin financiar, për qëndrueshmërinë ekonomike dhe reformën institucionale dhe atë të sektorit financiar… BQK ka punuar me përkushtim për forcuar strukturat e saj qeverisëse, institucionale, për të rritur stabilitetin financiar dhe për të përshtatur kornizën rregullative me standardet ndërkombëtare veçanërisht ato të BE-së…Sektori ynë bankar mbetet i fortë, i qëndrueshëm, me likuidet të lartë, fitimprurës dhe me nivele të ulëta të kredive jo performuese. Bankat vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në mbështetje të ekonomisë reale. Raporti i kredive dhe depozitave ka arritur në 84.6 për qind, me një rritje dyshifrore në kredi dhe depozita”, tha Ahmeti.
Kreu i Misionit të FMN-së në Kosovë, David Amaglobeli ka vlerësuar se është arritur progres i konsiderueshëm dhe se objektivat e caktuara fillimisht për programin janë përmbushur me sukses.
“Më vjen mirë që raportoj se është arritur progres i konsiderueshëm dhe se objektivat e caktuara fillimisht për programin janë përmbushur me sukses. Gjatë programit ne kemi parë rritje të fortë ekonomike 4.1 për qind më 2023 dhe presim edhe në 2024 rritja të jetë 4.4 për qind, që është prej më të lartave në Evropë. Në të njëjtën, kohë kemi pasur ulje të inflacionit, në vitin 2022 para fillimit të programit, inflacioni ishte 11.2 për qind, në vitin e kaluar inflacioni mesatar ishte 1.6 për qind. Pra, është një rënie e ndjeshme. Përgjatë këtyre zhvillimeve kemi parë po ashtu një ngritje të konsiderueshme të punësimit dhe të pagave”, tha ai.
Kujtojmë, më 2023 Bordi Ekzekutiv i FMN-së kishte miratuar Programin e Aranzhimit për Gatishmëri (SBA) për Kosovë, në shumë 100 milionë euro, si dhe aranzhimin Resilience and Sustainability Facility në shumë 78 milionë euro për rritjen e kapaciteteve gjeneruese të energjisë së ripërtërirë. /KP