Mesfushori Veldin Hoxha dhe portieri Amir Saipi janë të bindur se Kosova mund ta befasojë Suedinë në ndeshjen e rëndësishme që do të zhvillohet të hënën në mbrëmje.
Kosova do të jetë mysafire në Suedi, ndërsa edhe një pikë nga kjo përballje do t’i ndihmonte ndjeshëm “Dardanëve” në garën për një vend në play-off.
Optimizmi brenda skuadrës është i lartë, gjë që u konfirmua edhe nga deklaratat e Hoxhës dhe Saipit për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
Hoxha: E dimë si të luajmë ndaj Suedisë
Ylli i Rubin Kazanit, Veldin Hoxha, falënderoi tifozët për mbështetjen e madhe në barazimin 0-0 ndaj Sllovenisë të premten në “Fadil Vokrri”.
“Luajtëm barazim ndaj Sllovenisë, që është një ekip shumë i mirë. Kishim raste për të shënuar, por mendoj se rezultati ishte i drejtë. Atmosfera në stadium ishte fantastike, tifozët na përkrahën shumë,” – tha Hoxha.
Ai beson se Kosova mund të përsërisë suksesin ndaj Suedisë:
“Ndeshja në Suedi do të jetë shumë e vështirë, por ne i kemi mposhtur në përballjen e parë dhe e dimë si të luajmë ndaj tyre. Do të përgatitemi maksimalisht për të marrë një rezultat pozitiv.”
Saipi: Nëse luajmë si ndaj Sllovenisë, marrim pikë
Portieri Amir Saipi është po ashtu optimist para sfidës në tokën suedeze. Ai vlerëson se Kosova ka potencial të marrë të paktën një pikë.
“Sigurisht që na mungoi goli në ndeshjen e fundit, por jam optimist se kundër Suedisë do të shkojë më mirë. Ata kanë presion më të madh se ne, ndërsa ne luajmë më të lirë,” – tha ai.
“Nëse japim 100% dhe luajmë si ndaj Sllovenisë, besoj se mund të marrim pikë – pse jo edhe fitoren,” – shtoi portieri.
Ndeshja Suedi – Kosovë zhvillohet të hënën, më 13 tetor, nga ora 21:00 dhe është vendimtare për kualifikimet drejt Kampionatit Botëror 2026. /ATVLIVE.TV