Kosova i humbi 16 futbollistë kualitativ brenda pak vjetësh, shumica veç ishin këtu

Kosova vazhdon të përballet me largimin e lojtarëve të talentuar, të cilët në vend që të veshin fanellën dardane, zgjedhin të përfaqësojnë kombëtare të tjera. Rasti më i fundit është ai i Etnik Brrutit, mesfushorit të talentuar që ishte kapiten i Kosovës U21, por vendosi të braktisë Kosovën dhe t’i bashkohet Kombëtares shqiptare.

Ky vendim vjen në një moment kur Kosova po përpiqet të ndërtojë një ekip të fortë për të ardhmen, por po e ka gjithnjë e më të vështirë të mbajë talentet e saj. Për shumë tifozë dhe ekspertë të futbollit, ky është një sinjal alarmi për Federatën e Futbollit të Kosovës, e cila akuzohet për paaftësi dhe menaxhim të dobët të lojtarëve të rinj.

Brruti i shtohet një liste tashmë të gjatë të lojtarëve që kanë zgjedhur rrugë të tjera për karrierën e tyre ndërkombëtare. Besfort Zeneli, i rritur dhe i lindur në Suedi, refuzoi të bashkohej me Kosovën, duke pritur një ftesë nga përfaqësuesja suedeze. Ai nuk është i vetmi, pasi raste të ngjashme kemi parë me Edvin Kurtulus, i cili gjithashtu luajti për Kosovën U-21, por më pas vendosi të përfaqësonte Suedinë.

Një rast që shkaktoi shumë debat ishte ai i Mirlind Dakut, Arbnor Mujës dhe Arbër Hoxhës, të cilët u ndjenë të lënë pas dore nga Kosova dhe vendosën ta përqafojnë fanellën kuqezi të Kombëtares shqiptare.

Një tjetër lojtar i cili ishte kapiten i Kosovës U-21, por më pas zgjodhi Shqipërinë, ishte Ardian Ismajli, i cili aktualisht është një nga mbrojtësit më të rëndësishëm të Kombëtares shqiptare. Rrugën e tij e ndoqën edhe Kastriot Dërmaku, Medon Berisha dhe Adrion Pajaziti, të cilët më parë ishin pjesë e Kosovës U-21, por në fund vendosën të veshin fanellën kuqezi.

Jo vetëm Shqipëria, por edhe kombëtare të tjera kanë përfituar nga largimi i talenteve nga Kosova. Mërgim Berisha, një nga sulmuesit më premtues shqiptarë, refuzoi të luante për Kosovën dhe vendosi t’i bashkohet Gjermanisë. Uran Bislimi, një tjetër futbollist i talentuar, gjithashtu u largua papritur nga Kosova dhe pranoi një ftesë nga Zvicra.

Një rast i ngjashëm ishte ai i Andi Zeqirit, i cili madje kishte pozuar me fanellën e Kosovës përkrah presidentit të FFK-së, Agim Ademi, por në fund vendosi për Zvicrën. Po ashtu, Kemal Ademi dhe Ardon Jashari u konsideruan për një kohë të gjatë si lojtarë që mund të ndihmonin Kosovën, por kur u paraqit mundësia, ata zgjodhën përfaqësuesen helvetike.

Lista e lojtarëve që nuk e panë Kosovën si opsionin e parë vazhdon me emra të tjerë si Elvis Rexhbeçaj i cili fillimisht priste një ftesë nga Gjermania, por më pas vendosi të luajë për Kosovën, dhe Diant Ramaj, portieri i Ajaxit që ende është në dilemë mes Kosovës dhe Gjermanisë.

Ky fenomen ka shkaktuar debate të shumta në opinionin sportiv. Disa fajësojnë Federatën e Futbollit të Kosovës, duke e akuzuar atë për paaftësi në menaxhimin e lojtarëve dhe mungesë strategjie për t’i bindur ata të qëndrojnë. Të tjerë fajësojnë vetë lojtarët, duke i akuzuar ata për mungesë përkushtimi dhe për shfrytëzim të Kosovës si një opsion rezervë derisa të shfaqet një mundësi më e mirë.

Një pjesë e madhe e lojtarëve që janë rritur jashtë Kosovës duket se e shohin përfaqësuesen dardane si një Plan B. Shpeshherë ata vijnë dhe luajnë për grupmoshat e reja të Kosovës, por kur vjen koha për Kombëtaren A, nëse marrin një ftesë nga një përfaqësuese më e fortë, nuk hezitojnë të largohen.

Përndryshe, rasti i Etnik Brrutit dhe të tjerëve që po largohen do të vazhdojë të përsëritet, duke e bërë të vështirë që Kosova të ndërtojë një ekip konkurrues për të ardhmen.

Për momentin, ajo që mbetet e sigurt është se Kombëtarja e Kosovës po pëson një humbje të madhe me çdo talent që largohet.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA