Nën ndërmjetësimin e BE-së, në vitin 2023 Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Por, prej atëherë, blloku i ka kritikuar ato të dyja vendet se nuk e kanë zbatuar marrëveshjen pavarësisht se ajo është e detyrueshme për to.
Për shkak të krizave në veriun e Kosovës, që rritën tensionet mes dy vendeve, që nga shtatori i vitit 2023 në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë rund i dialogut politik, por ka pasur vetëm bisedime në nivel të kryenegociatorëve.
Pikërisht këto tensione në veriun e Kosovës kishin bërë që BE-ja, më 2023, t’i vendosë disa masa ndëshkuese Kosovës dhe vazhdon t’i mbajë ato në fuqi me arsyetimin se Kosova nuk ka bërë ende mjaftueshëm për shtensionimin e gjendjes në veriun e banuar me shumicë serbe.
Me gjithë kërkesat e liderëve të Kosovës për heqjen e këtyre masave, Kos theksoi se aktualisht jo të gjitha shtetet anëtare të BE-së janë të gatshme për heqjen e masave në këtë fazë.
“Ne ende nuk e dimë. Jemi e duke diskutuar këtë. Nëse shtetet anëtare do të jenë për heqjen e tyre, sigurisht që do ta bëjmë këtë. Por, për momentin, jo të gjitha shtetet anëtare janë për heqjen e masave”, u shpreh ajo për REL.