Konjufca thotë se ndërkombëtarët po e barazojnë policinë me bandat në veri

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca gjatë ditës së djeshme është prononcuar për KS+ një faqe dhe media e re në Kosovë për gjendjen aktuale në veri. Ai ka thënë se aksioni në veri është në përputhje me obligimet e Kosovës si shtet, derisa pretendon se bashkësia ndërkombëtare po e barazon policinë e Kosovës me bandat në veri.

Konjufca është shprehur gjithashtu se institucionet e sigurisë janë përkujdesur që kryetarët e zgjedhur në mënyrë legjitime të shkojnë në punë.

“Aksioni në veri është në përputhje me obligimet që i ka Kosova si shtet. Ju e dini që zgjedhjet të cilat u mbajtën u certifikuan prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe pastaj pritet prej kryetarëve të komunave ta fillojnë punën normalisht, ashtu që t’i ushtrojnë kompetencat e tyre që i kanë marrë me kushtetutë dhe zgjedhje demokratike, që ata me mujtë me shku në vendin e tyre të punës. Për këtë u përkujdeshën institucionet e sigurisë, kjo shkaktoi një reagim të dhunshëm nga bandat të cilat dirigjohen dhe orkestrohen natyrisht prej Beogradit”, ka thënë Konjufca.

Më tutje, ai ka thënë se Kosova nuk duhet të lejojë që në asnjë pjesë të territorit të komandojnë “bandat e dhunshme” që ai thotë se janë të dirigjuara nga Beogradi zyrtar.

“Mendoj që e jona si shtet është të garantojmë që në tërë territorin e Republikës së Kosovës, në çdo cep të shtetit tonë nuk mujnë me komandu bandat e dhunshme po është shteti ligjor, kushtetues që me instrumentet e veta kushtetuese dhe te sigurisë dhe në mbështetje të sundimit të ligjit i kryen obligimet e veta, detyrat e veta dhe ngadhënjen mbi këto grupacione që vërtetë kanë qëllime shumë të këqija, dëshirojnë me destabilizu vendin, mbështeten drejtpërdrejt nga presidenti i Serbisë, inteligjenca e Serbisë”, tha kryeparlamentari.

Ai ka thënë se bashkësia ndërkombëtare “duhet ta kuptojë”, se nuk mund të barazohet policia e Kosovës dhe siç i quan ai me “bandat” në veri.

“Ne nuk duhet ta humbim fokusin, duhet me ditë cilat janë të drejtat tona, edhe bashkësia ndërkombëtare duhet me e kuptu qartë që nuk ka barazim mes policisë së Kosovës që nuk është duke e provokuar kërkënd, është duke dashtë me siguru ambientin që kryetarët e zgjedhur me legjitimitet me i kry detyrat e veta, tash pavarësisht që mundet me pasë mospajtime politike me këtë pozicionim, qoftë prej ish-kryetarëve, qoftë prej Listës Serbe, qoftë prej qarqeve tjera që mendojnë se i përfaqësojnë qytetarët serbë, gjuha dhe rruga nuk mundet me qenë rruga e sulmit e gjuajtjes me armë zjarri, e ushtrimit të dhunës, kjo është vija jonë e kuqe, mos me toleru këtë lloj të gjuhës, të mjeteve”, tha Konjufca.

I pyetur pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk po e mbështesin Kosovën në aksionin në veri, Konjufca tha se për ata “është shumë e rëndësishme stabiliteti dhe paqja”.

Konjufca ka thënë se duhet të vendoset saktë se kush po e shkakton dhunën.

“Mendoj se për arsye se, për ata, është shumë e rëndësishme stabiliteti dhe paqja, mirëpo stabiliteti dhe paqja nuk po kërcënohen pse kryetarët e kanë për obligim me hy në zyrat e tyre, paqja dhe stabiliteti duhet ta kuptojnë të gjithë, besoj edhe bashkësia ndërkombëtare po cenohen prej atyre që dojnë me parandalu shkuarjen e tyre në punë me çdo mjet duke përfshirë edhe dhunën edhe përdorimin e armëve në mënyrë të paligjshme. Pra, le ta vendosim saktë kush po e shkakton dhunën, policia jonë nuk e provokoi askënd, nuk shtiu në drejtim të askujt, ishin të organizuar, i pamë me maska, bandat e Serbisë, të mbështetura drejt për drejt me deklarata edhe prej Daçiqit edhe prej Vuçiqit, duke i sulmuar edhe kryetarët e komunave, duke i gjuajtur madje edhe ushtarët e NATO-s që janë të stacionuar në Kosovë”, tha Konjufca.

Krejt në fund, kryeparlamentari është shprehur i shqetësuar me qëndrimin e Bashkimit Evropian dhe të bashkësisë ndërkombëtare duke thënë se po i barazojnë “policinë me bandat”.

“Kjo me të vërtetë është e papranueshme, duhet ta bëjmë dallimin e qartë, me të cilën është e drejta kushtetuese, e drejta e institucioneve të sigurisë, dhe mos harroni shteti ka drejt me i përdorë institucionet e sigurisë, ato nuk janë institucione të paligjshme, institucionet e sigurisë nuk e rrezikojnë paqen, paqen e rrezikojnë ata që janë jashtë ligjit, ata që me mjete të dhunës, me mjete me armë, pa e pasë të drejtën e përdorimit të tyre, gjuajnë mbi policinë, organet e sigurisë dhe mbi trupat e NATO-s. Prandaj jam shumë i shqetësuar që edhe Bashkimi Evropian, e pashë më herët ky Stano, ky zëdhënësi dhe në përgjithësi bashkësia ndërkombëtare po i barazon policinë tonë me bandat”, tha Konjufca.

Në anën tjetër, dje në një intervistë për mediat e huaja, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken i cili kërkoi shtensionim të situatës në veri duke e bërë përgjegjëse qeverinë e Kosovës për tensionet ka bërë deklarata “naive”.

SHBA-të kanë sanksionuar Kosovën me përjashtim nga Defender Europe 23 dhe kanë thënë se ky është hapi i parë i pasojave që e presin Kosovën pas tensioneve në veri dhe moskoordinimit me SHBA-të.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA