PËRGATITI: BESMIRE KLUNA
Rreth 1 milionë e 200 mijë euro është dëmi i shkaktuar nga vërshimet e vitit 2024, në Komunën e Dragashit.
Megjithatë pavarësisht se nga vendi i ngjarjes në atë kohë kryeministri Albin Kurti u premtoi mbështetje, deri më tani sipas kryetarit të Dragashit, qeveria nuk i kompensoi dëmet.
‘’Kam kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të fusin në rend dite çështjen e kompensimit të dëmeve për Komunën e Dragashit por nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Nuk kemi kompensim të asnjë dëmi as të një personi që ka pësuar dëme të vitit të kaluar’’, deklaroi kryetari i Dragashit, Bexhet Xheladini.
Derisa Dragashi nuk u kompensua për vitin 2024, Rahoveci ende nuk ka marrë mbështetje nga ekzekutivi për dëmet nga vërshimet e vitit 2023.
‘’Nuk jemi kompenzuar nga Qeveria e Kosovës përkundër faktit që kemi pasur dëme në bujqësi, vlera e dëmeve në bujqësi 602.659 mijë euro dhe në ekonomi familjare 14.355 mijë euro. Ndërkaq për dëmet e vitit 2024 që janë diku rreth 100.000 mijë euro’’, tha Smajl Latifi, kryetar i komunës së Rahovecit.
Nga Asociacioni i Komunave kërkojnë që Qeveria sa më parë t’i shpërndajë mjetet buxhetore për komunat që pësuan dëme të mëdha.
‘’Duke marrë parasysh se niveli qendror është treguar neglizhentë në këtë çështje, ne si asociacion kemi bërë thirrje që niveli qendror të ja lejojë komunave të kenë një buxhet që specifik për ti përkrahur për dëmet të cilat shkaktohen nga fenomenet natyrore’’, u shpreh Sazan Ibrahimi, kryetar i AKK-së.
Mirëpo nga Qeveria thonë se disa nga komunat nuk o kompensuan, pasi që nuk i dorëzuan dosjet e kompletuara konform kërkesat.
‘’Komisioni është duke i trajtuar të gjitha lëndët një nga një me ç’rast janë evidentuar një mori mungesash në kompletimin e dokumentacionit. Me qëllim që të procedohen sa më shpejt, jemi në kontakt me zyrtarët komunalë që të kompletohen lëndët për trajtim dhe vendosje përfundimtare në Qeveri, ku Qeveria pastaj bazuar në raportin e Komisionit miraton buxhetin për kompensim’’, u përgjigj Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë.
Komuna e Pejës nuk është kompensuar fare për dëmet, ndërkaq, komuna e Skenderajt dhe ajo e Klinës është kompensuar pjesërisht vetëm në ekonomi familjare por jo edhe bizneset.