Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Komiteti Paralimpik i Kosovës është bërë pjesë e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar me të drejta të plota.
Kjo po konsiderohet të jetë një hap gjigant për sportistët me aftësi të kufizuara, që tani e tutje do të kenë mundësi të garojnë në kampionate botërore e evropiane.
“Ky hap gjigant është një arritje e jashtëzakonshme që hap dyert e sportistëve të kësaj kategorie drejt sukseseve ndërkombëtare, gjë e cila deri më tani ishte e pamundur të bëhej, me Lojërat Olimpike “Parisi 2024”, si synimin e parë”, tha presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini.
Kjo do të mundësojë edhe përfitime të ndryshme financiare nga organizatat ndërkombëtare, që mbështesin këtë kategori për lojërat e ardhshme.
VOX: DAULINA OSMANI, zv. ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport
“Mbështetja e kësaj Ministrie për Komitetin Paralimpik, do të rritet në vazhdimësi, sidomos për të pasur përfaqësim sa më dinjitar në Lojërat Olimpike ‘Parisi 2024’”, tha zv. ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport.
Të kënaqur nga kjo arritje ndihen pjesëtarët e këtij komiteti.
“Jemi tejet të kënaqur, sepse edhe ne kemi nevojë për përkrahje dhe jo për lëmoshë dhe natyrisht që presim fitore kudo”, tha Irfan Sopjani, pjesëtar i Komitetit Paralimpik.
Ndryshe, në Lojërat Olimpike që mbahen vitin e ardhshëm në Paris, Kosova do të përfaqësohet nga dy sportistë paralimpik, Grevist Bytyqi dhe Vjollca Hoxha.
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: