Komisioni qeveritar për persona të zhdukur prezanton raportin për 2023

Përgatiti: Benita Zeneli
Normalizim të raporteve me Serbinë s’mund të ketë derisa ka mungesë të përgjigjes për vendndodhjen e më shumë se 1600 personave të zhdukur gjatë luftës, tha kryeministri Albin Kurti.
Reklamë
Gjatë prezantimit të raportit për këtë vit të Komisionit Qeveritar për të Zhdukurit, Kurti gjithashtu shtoi se çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, nuk është çështje statistikash, por problem kombëtar, shtetëror e humanitar.
“Shumë varre të hapura e të zbrazëta anekënd Kosovës që nuk i kemi më të dashurit tanë, janë dëshmi e madhe e gjenocidit të Serbisë. Jo vetëm personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës, por edhe familjet e tyre janë viktimat e këtij krimi të vazhdueshëm. Krim ky i cili e tejkalon dimensionin e brengës së familjeve të tyre, duke qenë brengë e Kosovës, sepse çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës nuk është çështje statistike, por problem kombëtar, shtetëror e humanitar”, tha Kurti.
Derisa, gjatë këtij viti, respektivisht më 2 maj, Kosova dhe Serbia – nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian – kanë arritur marrëveshje për një Deklaratë për Personat e Zhdukur, më shumë është gërmuar në Kosovë sesa në Serbi.
“Personalisht vlerësoj që asnjë angazhim nuk është i mjaftueshëm përderisa ne ende vazhdojmë të kërkojmë për më të dashurit tanë tash e 24 vite. Në rrafshin vendor kemi gërmuar në 15 lokacione të ndryshme në territorin e Kosovës. Kanë rezultuar me zhvarrosjen e 20 trupave dhe disa pjesë të tjera kockore”, tha kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti.
Zbardhja e fatit të të zhdukurve është proces që ecën shumë ngadalë e sipas Qeverisë së Kosovës, faji qëndron te pala tjetër, e cila nuk është e gatshme për bashkëpunim.
Reklamë







