KOMF-i u dërgon letër subjekteve politike për rikthimin e një ministrie

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF përmes një letre i drejtohet partive politike që do të krijojnë Qeverinë, me kërkesën që të rikthehet Ministria për Mirëqenie Sociale.

KOMF konsideron se mirëqenia dhe shërbimet sociale duhet të jenë prioritet dhe një ndër shtyllat kryesore të programit të qeverisë, kjo për shkak të rëndësisë dhe nevojës për ndërhyrje në këtë fushë.

“Prandaj kjo duhet të reflektohet edhe në ndarjen e ministrive, specifikisht në krijimin e Ministrisë që do të ketë në protfolio politikat dhe mirëqenien sociale, shërbimet sociale, mbrojtjen e fëmijëve, fuqizimin e familjeve, etj”, thuhet në letrën e KOMF dërguar partive poltike.

Më tej thuhet se mirëqenia sociale mbetet ndër sektorët më në nevojë për ndërhyrje dhe investime.

KOMF bën të ditur se “Të dhënat e fundit nga Karta e Vlerësimit të publikuar nga KOMF në vitin 2024, tregojnë se shteti i Kosovës nuk ka prioritizuar dhe nuk ka politika dhe programe të mjaftueshme për mbrojtjen e fëmijëve dhe fuqizimin e familjeve. Në anën tjetër, kërkesat për shërbime nga qytetarët në nevojë janë në rritje të madhe viteve të fundit”.

“Prandaj, KOMF kërkon proritizimin e mirëqenies sociale, fuqizimin e familjes dhe mbrojtjen e fëmijëve, përmes krijimit të Ministrisë së veçantë për këto fusha shumë të rëndësishme. KOMF kërkon që në kuadër të kësaj ministrie, të rikthehen si sektori i politikave dhe skemave sociale, ashtu edhe ai i shërbimeve sociale. Në të gjitha praktikat, në emër të interesit më të mirë të qytetarëve në nevojë për shërbime dhe mbrojtje, skemat sociale shërbejnë si një instrument apo masë, e cila është një ndër format e shërbimeve sociale, dhe e cila krahas formave të tjera të këtyre shërbimeve, synon fuqizimin e individit dhe familjes”, thuhet në letër.

Për më tepër thuhet se të dhënat nga institucionet publike, agjencitë ndërkombëtare dhe organizatat joqeveritare tregojnë për probleme të mëdha në këtë fushë. Sipas KOMF, dhuna dhe ndëshkimi i fëmijëve në Kosovë vazhdon të praktikohet në masë të madhe.

“72% e fëmijëve në Kosovë disiplinohen përmes formave të dhunshme. Kosova vazhdon të mos ketë shërbime të specializuara të ofruara për të adresuar mbrojtjen e fëmijëve nga punët e rënda, përfshirë fëmijët në situatë rruge. 5% e fëmijëve në Kosovë punojnë punë të rënda. Vetëm 10% e fëmijëve më aftësi të kufizuara përfitojnë nga shërbimet shëndetësore dhe sociale cilësore. Fëmijët pa përkujdesje prindërore vazhdojnë të mbesin pa shtesa të fëmijëve dhe pa përkrahjen financiare që qeveria ka ndarë për fëmijët, gjatë viteve të fundit”, njofton KOMF.

Po ashtu sipas KOMF, Kosova përballet me sfida të shumta në parandalimin dhe trajtimin e fëmijëve viktima të abuzimit me narkotikë. Viteve të fundit, vlerësohet se numri i përgjithshëm i përdoruesve ka kaluar për herë të parë shifrën prej 30.000 ndërkohë që fëmijët dhe adoleshentët përdorues vazhdojnë të bëjnë pjesë çdo vit e më shumë në këtë shifër.

“Mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogave ka rënë nga 18 vjeç në vitin 2018, në 16 vjeç në periudhën e fundit. Numri i fëmijëve në konflikt me ligjin është në rritje. Gjatë 2023, numri i fëmijëve në konflikt me ligjin, raportuar nga Policia e Kosovës, ka qenë 2.175 fëmijë, ndërsa numri i kallëzimeve penale të kryesve të mitur të pranuara gjatë 2023, është rritur për 18.00%, krahasuar me 2022”, thuhet në letër.

Sipas KOMF, shteti është përgjegjës për mirëqenien sociale, organizimin e ofrimit të shërbimeve sociale dhe familjare në Kosovë dhe për të siguruar që të gjithë banorët e Republikës së Kosovës të kenë qasje të barabartë në shërbime sociale dhe familjare pa asnjë dallim.

“Shteti ka për detyrë të ofrojë shërbime sociale dhe familjare bazuar në legjislacionin në fuqi dhe në konventat ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut”, thuhet në fund të letrës drejtuar institucioneve publike.

Megjithatë, pas ndryshimeve në strukturën e Qeverisë, veçanërisht në mandatin e fundit, kompetencat e saj janë shpërndarë në ministri të tjera, kryesisht te Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA