Me temën “Së bashku qëndrojmë, së bashku veprojmë”, Fakulteti i Psikologjisë në Kolegjin AAB ka organizuar tryezë diskutimi në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Parandalimin e Ngacmimeve Seksuale.
Rektori Blerim Olluri, përmblodhi angazhimin dhe përkushtimin e Kolegjit AAB për të luftuar ngacmimet seksuale dhe për të promovuar barazinë gjinore. Ai theksoi se, në një kohë kur shoqëria përballet me sfida të thella, arsimi duhet të udhëheqë me shembuj dhe të krijojë mjedise ku dinjiteti njerëzor dhe barazia janë parime të patundur.
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, vlerësoi rolin proaktiv të Kolegjit AAB dhe nënvizoi domosdoshmërinë e koordinimit ndërinstitucional për trajtimin dhe parandalimin e këtij fenomeni. Ajo theksoi se si ministri kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, duke fuqizuar politikat ligjore, ashpërsuar dënimet në Kodin Penal dhe forcuar mekanizmat mbrojtës për viktimat.
Dekani i Fakultetit të Psikologjisë, Naim Telaku, foli mbi ndikimet afatgjata të ngacmimeve në mirëqenien psikologjike të individëve, duke theksuar nevojën për ndërhyrje të strukturuara në fushën e edukimit dhe politikave institucionale.
Në tryezë kontribuan edhe aktivistja e të drejtave të njeriut, Lendine Balaj, e cila ndau përvojat e saj në mbështetje të të mbijetuarve dhe përfshirjen e të rinjve në fushata vetëdijësuese, si dhe prorektorja Venera Llunji, e cila prezantoi qasjen institucionale të AAB-së për ndërtimin e politikave të brendshme që synojnë mbrojtjen dhe fuqizimin e viktimave potenciale të ngacmimeve.
Ngjarja u moderua nga Arlinda Gashi, koordinatore në Fakultetin e Psikologjisë.