Për të lehtësuar pjesëmarrjen në edicionin më të madh ndonjëherë të “Sunny Hill Festival”, Kolegji AAB ka vënë në dispozicion transport të rregullt me autobus për të gjithë pjesëmarrësit në këtë festival.
Gjatë datave 1, 2 dhe 3 gusht, nisjet do të bëhen çdo orë nga Stacioni i Trenit në Prishtinë, nga ora 14:00 deri në 23:00, ndërsa kthimet janë të mundshme nga ora 00:00 deri në 05:00 të mëngjesit.
Festivali pritet të sjellë mijëra vizitorë, duke përfshirë edhe një interesim të jashtëzakonshëm nga publiku ndërkombëtar. Sipas organizatorëve, pjesëmarrës nga mbi 60 shtete të ndryshme të botës tashmë i kanë siguruar biletat dhe kanë bërë rezervime në hotele e bujtina në Prishtinë dhe qytetet përreth.
Këtë vit, skenat e festivalit do të jenë më të mëdha se kurrë më parë, ndërsa programi do të sjellë një listë të pasur artistësh, përfshirë emra të njohur globalisht si Dua Lipa, Shawn Mendes, Peggy Gou, Mochakk, Anyma dhe Fatboy Slim, si dhe performues të njohur vendorë.
Kujtojmë se “Sunny Hill Festival” është nominuar për herë të dytë radhazi në mesin e Top 10 festivaleve më të mira në Evropë, dhe renditet gjithashtu si një nga 25 ngjarjet muzikore që nuk duhen humbur gjatë vitit.