Për shumëkënd, dhoma e gjumit e dizajnuar mirë është elementi më i rëndësishëm i rutinës së natës. Në fund të fundit, një person mesatar e kalon një të tretën e jetës në shtrat, prandaj pse të mos krijojë një hapësirë që e relakson dhe e bën zgjimin më të këndshëm?
Shumica e njerëzve përqendrohen në blerjen e dyshekut më të rehatshëm, të shtratit të bukur, jastëkëve të butë. Megjithatë, lartësia e krevatit, pra distanca nga dyshemeja deri në majë të dyshekut, është po aq e rëndësishme.
Nga këndvështrimi i dizajnit, lartësia e krevatit mund të ndikojë në atmosferën e përgjithshme të dhomës.
Krevatet më të ulëta krijojnë një ambient modern dhe të qetë, të përshtatshëm për hapësira të vogla ose për pamje minimaliste. Krevatet më të larta japin ndjesi formaliteti dhe prezence, ideale për dhoma klasike ose të mbushura me shtresa detajesh, shpjegon dizajnerja Golara Gasemi.
Por nëse e pyesni fizioterapisten Emily Whitmore, ky detaj shpesh i nënvlerësuar luan rol kyç në sigurinë dhe shëndetin e nyjave, transmeton Telegrafi.
Një krevat shumë i lartë mund të rrisë rrezikun e rënies, sidomos te personat me lëvizshmëri të kufizuar, të cilëve mund t’u jetë e vështirë të vendosin këmbët në tokë në mënyrë të sigurt. Nga ana tjetër, një krevat shumë i ulët e vështirëson ngritjen nga shtrati, duke ushtruar presion shtesë mbi gjunjë, ije dhe shpinën e poshtme, shpjegon ajo qartë.
Ajo paralajmëron se gjumi i vazhdueshëm në një krevat që është shumë i lartë ose shumë i ulët mund të çojë në dhimbje të nyjave, lodhje të muskujve dhe probleme me shpinën.
Pra, cila është lartësia ideale? Varet. Emily Whitmore thotë se “pika e artë” është mes 45 dhe 63.5 centimetrave, por gjithçka lidhet me ndjesinë tuaj të rehatisë.
Mund ta përcaktoni lartësinë e duhur duke u ulur rehat në buzë të krevatit. Gjuha duhet të jenë të përkulura në rreth 90 gradë, ndërsa shputat të jenë plotësisht në dysheme. Nëse këmbët varen ose nëse gjunjët janë më lart se ijet, atëherë krevati është ose shumë i lartë ose shumë i ulët, thotë Emily Whitmore.
Dhe, pasi lartësia ideale e krevatit mund të ndryshojë me kalimin e viteve ose me ndryshimin e nevojave tuaja, mund të jetë e mençur të merrni një kornizë krevati që rregullohet në lartësi. /Telegrafi/







