19-vjeçari që u ther me thikë nga një 13-vjeçar sot në shkollën fillore “Emin Duraku” në Prizren, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Këtë e konfirmoi për Klankosova, Hekuran Veçgishti, shef i emergjencës në Prizren.
Sipas tij, rreth orës 09:40, i lënduari u dërgua në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren. Janë kryer ekzaminime radiologjike dhe analiza laboratorike.
“Pacienti ka marrë terapinë e nevojshme dhe, pas konsultimit me kirurgun kujdestar, është pranuar në Repartin e Kirurgjisë për trajtim të mëtejshëm”, është përgjigjur ai
Njëherësh për rastin në fjalë kanë folur edhe nga Policia e Prizrenit.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka deklaruar për Klankosova.tv se ngjarja ka ndodhur paraditen e sotme dhe se i dyshuar për rastin është një 13-vjeçar.
“Policia ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe nga të dhënat e mbledhura është mësuar se pas një zënke ndërmjet dy të rinjve, njëri prej tyre, mashkull 13-vjeçar, e ka goditur me një mjet të mprehtë viktimën, mashkull 19-vjeçar”, tha ai.







