Kitaristi i muzikës klasike, 11-vjeçari Ledion Halitaj, është fituesi i sivjetshëm i Çmimit “Evropiani i vitit”. Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka njoftuar mbrëmë gjatë pritjes me rastin e Ditës së Evropës në Prishtinë, duke theksuar se Ledioni është “një model i vërtetë dhe një pishtar i shpresës”.
Ky është viti i tetë me radhë që BE-ja i ndanë këtë çmim në Kosovë një personi që gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit ka kontribuar më së shumti në promovimin e vlerave evropiane.
Ndonëse familja e BE-së në Kosovë propozoi të nominuarit, është populli i Kosovës ai që e zgjodhi fituesin, duke votuar në kanalet e mediave sociale të BE-së në Kosovë, thuhet në komunikatën për media.
Pesë të nominuarit ia kushtuan jetën dhe punën e tyre fuqizimit të grave në biznes, çështjeve të komunitetit dhe sportit, promovimit të multikulturalizmit dhe angazhimit aktiv të të rinjve në jetën kulturore të Kosovës.
“Është kënaqësi e madhe për mua që t’ia japë të riut Ledion Halitajt Çmimin Evropiani i Vitit 2023. Fakti që shumica e kosovarëve votuan për të në garën me znj. Gjoriq, znj. Jashari, z. Kuka dhe z. Syla, dëshmon se shoqëria pret me padurim gjeneratën e saj të re që ta çojë vendin përpara dhe BE-ja do të jetë këtu për t’i mbështetur në avancimin e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit në BE”, tha ambasadori Szunyog.
“Dua gjithashtu të falënderoj fituesin e këtij viti dhe fituesit e viteve të kaluara si dhe të nominuarit për Çmimin dhe për kontributin e tyre për ta bërë Kosovën një vend më të mirë për të jetuar”, shtoi ai.
Ledioni (11-vjeçar) është një kitarist i talentuar dhe i njohur i muzikës klasike. Brenda dy viteve, ai fitoi 15 çmime në festivale ndërkombëtare në Kosovë dhe në mbarë Evropën, si dhe katër çmime publike. Ai fitoi çmimin e tij të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës në Transilvani, Rumani, kur ishte vetëm nëntë vjeçar. Ledioni gjithashtu ka ndjekur një kurs për kitare me kitaristë të klasit botëror dhe është shembull për të gjithë muzikantët e tjerë të rinj dhe aspirantë.
Fituesit e mëparshëm të Çmimit Evropiani i Vitit janë:
– 2022: Fahrije Hoti, themeluese e Kooperativës Bujqësore Krusha,
– 2021: Armend Shabani, kryetar i Shoqatës së Matematikanëve,
– 2020: Lul Raka, profesor i Mikrobiologjisë në Universitetin e Prishtinës,
– 2019: Visar Ramajli, drejtor i kompanisë KIVO,
– 2018: Jeton Neziraj, drejtor i Qendrës Multimedia,
– 2017: Erzen Shkololli, kurator dhe artist, dhe
– 2016: Majlinda Kelmendi, kampione olimpike në xhudo.
Në komunikatën për mediathuhet se BE në Kosovë mbetet e përkushtuar për të mbështetur Kosovën për të ecur përpara në rrugën e saj drejt integrimit evropian.