Shtatë argjentinas dolën në gjyq të martën të akuzuar për vrasje për rolin e tyre të dyshuar në atë që prokurorët e quajtën “teatri horror” i vdekjes së legjendës së futbollit Diego Maradona katër vjet më parë.
Maradona vdiq më 25 nëntor 2020, në moshën 60-vjeçare, teksa po shërohej në shtëpi nga operacioni në tru, pas dekadash duke luftuar me varësinë nga kokaina dhe alkooli.
Në gjyq janë një neurokirurg, një psikiatër, një psikolog, një koordinator mjekësor, një koordinator infermierie, një mjek dhe një infermiere e natës të akuzuar për neglizhencë kriminale në kujdesin që i kanë ofruar futbollistit në ditët e tij të fundit, transmeton KosovaPress.
Në një deklaratë hapëse, prokuroria tha se synonte të paraqiste prova “të forta” se asnjë anëtar i ekipit mjekësor “nuk bëri atë që duhej të bënte” në “teatrin e tmerrit” që ishte shtrati i vdekjes së Maradonës.
“Shiko, kështu vdiq Maradona!” Prokurori Patricio Ferrari bërtiti në sallën e gjyqit, duke mbajtur lart një foto pas vdekjes të Maradonës, i shtrirë në shpinë në shtrat, me trupin e tij groteskisht të fryrë.
Fotoja rrëqethëse përloti tre vajzat e Maradonës, Jana, Dalma dhe Gianinna, të cilat morën pjesë në seancën gjyqësore, përcjellë KosovaPress.
“Ata [të akuzuarit] po ju gënjejnë kur thonë se nuk kanë marrë pjesë në vrasje,” akuzoi Ferrari. Fernando Burlando, avokat për Dalma dhe Gianinna, e përshkroi ekipin mjekësor të Maradonës si “djallëzor”.
Të pandehurit përballen me burgim nga tetë deri në 25 vjet nëse dënohen për akuzat e “vrasjes me dashje të mundshme” – ndjekja e një kursi veprimi pavarësisht se e dinë se mund të shkaktojë vdekjen.
Jashtë gjykatës, dhjetëra tifozë mbanin pankarta duke bërë thirrje për “drejtësi”.
Maradona u gjet i vdekur dy javë pas operacionit, në një shtëpi me qira në një lagje ekskluzive të Buenos Aires ku u soll pasi doli nga spitali.