Derisa në fillim të kësaj jave u publikuan rezultatet e testit të maturës dhe u mbajt pjesa e parë e testit të Arritshmërisë, është kërkuar pezullimi i tyre.
Nga Këshilli i Prindërve i Kosovës nëpërmes një deklaratë thonë se vitin e ardhshëm do të ketë organizim për t’i bojkotuar.
“Nuk ka ngjarje më përshkruese të këtij viti shkollor, sesa një testim i këtij soji: i keqprojektuar, i keqmenaxhuar dhe ku kopjimi është sinonimi për të.
Ndërsa, i gjithë sistemi arsimor i Kosovës e çoi dëm edhe një vit për t’iu shërbyer mbi 300 mijë fëmijëve, testi i maturës dhe arritshmërisë vazhdojnë bindshëm të jenë aktet më të kota, më të pavlera e më të dëmshme për fëmijët tanë.
Ato teste janë shembuj konkretë se si nuk duhen bërë projekte të tilla. Janë dëshmia e vendimeve dhe veprimeve pa përdorur rezonin e arsyes shkak-pasojë. Janë “paushalli” i politikëbërjes për arsimin që po vazhdon në Kosovë”, thuhet në deklaratën e Këshillit të Prindërve të Kosovës.
Megjithatë, disa prindër nuk po pajtohen me qëndrimin e Këshillit të Prindërve.
“Duhet të bëhet një komision I veçantë dhe të vlerësojnë e të shohin procesin se si ka shkuar e të shohin për një të ardhme se si duhet të veprohet, por nuk mendoj që duhet të pezullohet”, tha Arjeta Miftari, prind.
Edhe njohësi i arsimit Argjend Osmani, vlerëson se nuk është koha e duhur për këtë.
“e kuptoj që ka kopjime, shpërndarje, mes kolege e shokëve. E militantët I kanë testet edhe ua japin fëmijëve te tyre e më pas edhe dalin si super student. Të gjitha këto I di por është jo etike të përmirësohet gjendja në sistemin e arsimit vetëm përmes mos mbajtjes së testit të arritshmëisë. Ne si shoqëri duhet të reflektojmë dhe të themi se kjo mënyrë e qeverisjes nuk është e pranueshme”, tha njohësi i arsimit, Argjend Osmani.
Sipas rezultateve të publikuara, kalueshmëria e testit të maturës ishte mbi 66% ndërkaq pjesa e dytë e testit të arritshmërisë pritet të mbahet javën e ardhshme. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: