Ministrja e dorëhequr e Arsimit, Arbërie Nagavci, në emisionin CONTEXT në ATV, ka konfirmuar se testi ndërkombëtar PISA do të mbahet këtë muaj, duke thënë se përgatitjet janë bërë me seriozitet të shtuar dhe në bashkëpunim të ngushtë me OECD-në.
Ajo tha se janë ndarë materiale udhëzuese për nxënësit dhe janë mbajtur takime me drejtorët e shkollave dhe koordinatorët për të rritur përgatitjen.
“Kemi përgatitur materiale të mjaftueshme, kemi nxjerrë të dhënat bashkë me OECD-në, kemi pasur takime me drejtorët e shkollave dhe kemi shpërndarë modele të pyetjeve. Organizimi teknik është dukshëm më i mirë sesa në të kaluarën”, deklaroi Nagavci.
Sipas saj, sivjet është bërë edhe një hap i ri – rezultatet e PISA-s janë ndarë me shkollat, në mënyrë që ato të kenë pasqyrë për përmirësim.
“Ne i dimë saktë rezultatet e çdo shkolle dhe i kemi ndarë ato me to. Nuk janë bërë publike, sepse nuk lejohet, por secila shkollë tashmë i di rezultatet e veta”, theksoi Nagavci.
Deklaratën e plotë të Arbërie Nagavcit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: