spot_imgspot_img
spot_img

“Kemi pranuar autopsinë, Rina nuk është e dyshuar” – Prokuroria jep detaje për vdekjen e Festim Isufit

“Rreth orës 15:00 është raportuar për dy persona të lënduar në një ndërtesë në rrugën “B” në Prishtinë. Me të marrë informatën policia ka dalë në vendin e ngjarjes duke filluar menjëherë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore me synim sqarimin e rrethanave të rastit. Në vendin e ngjarjes janë ftuar edhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar vdekjen e njërit prej personave të lënduar, mashkull, 34 vjeç, ndërsa e lënduara femër, 30 vjeçare është dërguar për tretman mjekësor. Mbështetur në të dhënat fillestare, dyshohet se personat kanë pësuar lëndime nga një mjet i mprehtë, dyshohet thikë. Hetuesit policor po ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura hetimore që do t’i kontribuonin hetimit të ngjarjes”, thuhej për rastin.

Mbi këtë ngjarje po atë ditë është deklaruar edhe Prokuroria, ku u tha se po bëhet gjithçka për të zbuluar rrethanat e ngjarjes, shkruan lajmi.net.

“Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik, se sot, më datë 09.05.2025, rreth orës 03:00 në “Rrugën B” në Prishtinë, ka ndodhur një rast i rëndë, ku një (1) person mashkull ka humbur jetën, dhe trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me njësitet relevante të Policisë së Kosovës, dhe ka urdhëruar ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme hetimore për ndriçimin e plotë të rastit. Lidhur me këtë rast, Prokuroria ka iniciuar procedurë penale me kallëzim penal si ‘’Hetim mbi vdekjen’’, për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarje. Prokuroria Themelore në Prishtinë, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti tragjik”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Të njëjtën ditë, e lënduar kishte mbetur edhe bashkëshortja e Festim Isufit, tiktokerja, Rina Maloku. Ajo kishte dal e përgjakur dhe kishte kërkuar ndihmë në ordinancën dentare “Alba Dent”, e më pas ajo kishte pranuar tretman mjekësor, por që ishte lënduar lehtë.

Që nga maji e deri më sot, nuk janë dhënë detaje të tjera që mund të tregonin rrjedhën e kësaj ngjarjeje.

Sot, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka thënë për lajmi.net se e kanë pranuar raportin e autopsisë dhe se në lidhje me vdekjen tragjike të Festim Isufit kanë intervistuar disa persona.

Ata kanë treguar po ashtu se bashkëshortja e Festim Isufit, Rina Maloku nuk është e dyshuar.

“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar raportin e autopsisë dhe ka intervistuar disa persona. Nga të dhënat e deritanishme rezulton se nuk ekzistojnë dyshime të bazuara lidhur me këtë rast”,thuhet në përgjigje.

Përpos kësaj, u tha se Prokuroria po pret edhe disa prova shtesë, që do ndihmojnë në zbardhjen e plotë të çështjes.

“R.M. nuk është e dyshuar dhe ndaj saj nuk është nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve. Megjithatë, Prokuroria është ende në pritje të disa provave shtesë, të cilat do të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të çështjes”.

Menjëherë pasi ndodhi rasti, qytetarët në Kosovë kishin zhvilluar pista të ndryshme se si kishte mundur të ndodhte ngjarja. Ata shpesh e kishin fajësuar dhe e kishin shfaqur si të dyshuar bashkëshorten e Festim Isufit, Rina Malokun, e cila që kur ka ndodhur ngjarja kishte reaguar vetëm njëherë dhe më nuk kishte qenë aktive në rrjete sociale.

Në një reagim prekës në Instagram, Rina, bashkëshortja e ndjerë e Festimit, të nesërmen, më 10 maj, ka publikuar një fotografi me të në InstaStory, duke i dhënë lamtumirën me fjalë të dhimbshme: “Prehu i qetë jeta jem, humbja jote e papritshme na ka lënë me dhimbje të papërshkrueshme. Të du e të kujtoj si njeri të mirë, të buzëqeshur si ishe”.

Dyshime se në këtë rast ka qenë i përfshirë edhe një person i tretë, ka nxitur vëllai i viktimës, Lulzim Isufi.

“Sipas informatave që kam vetë unë personalisht, pa prokurori, pa asgjë, me sa e di unë, këtu është i përfshirë një i tretë. Ama pa qenë 100 për qind i sigurt, nuk mund të them më shumë”, ishte shprehur ai pak pasi kishte ndodhur rasti.

Vëllai i stilistit të njohur theksoi më tej: “Besoj që edhe prokuroria e di që ka edhe të tjerë të përfshirë. Ne nuk i përzihemi prokurorisë çka bën, por me sa kam informacion, është edhe një i tretë i përfshirë. Kam thënë që po dyshoj, mirëpo tani në bazë të informacioneve që kam, po besoj që kjo është e sigurt”.

Rina dhe Festimi, që të dy kanë qenë dy personazhe të njohura dhe aktive në media sociale. Festim Isufi ka qenë emër i njohur në dizajn, duke sjell gjithnjë vepra të reja shumë kreative.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA