spot_imgspot_img
spot_img

“Kapedani” rikthehet në Prishtinë një nga filmat më të dashur shqiptarë në ekranin e Kino Armatës

Më 12 nëntor, nga ora 19:00, në Kino Armata do të shfaqet filmi klasik shqiptar “Kapedani”, si pjesë e programit kulturor “Netët e Filmit Shqiptar”. Ky cikël filmash organizohet në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kosovë dhe Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, me qëllim promovimin e trashëgimisë kinematografike shqiptare tek publiku i Kosovës.

“Kapedani”, prodhuar gjatë një periudhe të shkurtër liberalizimi në vitet ’70, vazhdon të mbetet një nga veprat më të dashura të kinemasë shqiptare. Historia e Sulos, luftëtarit me mustaqe të bardha që përpiqet të kuptojë pse gratë po marrin të njëjtat të drejta si burrat, është bërë simbol i një periudhe të artë të Kinostudios “Shqipëria e Re”.

Filmi dallon për mënyrën e lirshme dhe plot humor me të cilën trajton temën e ndryshimeve shoqërore, diçka që e veçon nga filmat e tjerë të kohës, të ngarkuar me kufizime ideologjike. “Kapedani” sjell një përzierje të rrallë mes ironisë, realizmit dhe fantazisë duke hapur me skenën ikonike ku protagonisti përballet me armiqtë historikë të Shqipërisë, nga osmanët te nazistët, në një betejë imagjinare plot ngjyra.

Kjo vepër përbën një dëshmi të rëndësishme të historisë kulturore shqiptare, që për shkak të izolimit politik, për vite me radhë nuk mori vlerësimin që meritonte në arenën ndërkombëtare. Tani, me versionin e restauruar në 4K dhe me titra në gjuhë të huaja, “Kapedani” po rikthehet si një nga kryeveprat e kinemasë së Europës Lindore.

Restaurimi digjital i filmit u realizua falë projektit “Sezoni i Filmave Klasikë”, një iniciativë e Association des Cinémathèques Européennes (ACE), me mbështetjen e Programit Creative Europe – MEDIA. Procesi u krye nga DABIMUS srl – një spin-off i Universitetit të Barit “Aldo Moro” në Itali, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.

Filmi është realizuar nga regjisorët Fehmi Hoshafi dhe Muharrem Fejzo, me skenar të Skënder Plasarit dhe muzikë të Tahsim Hoshafit. Në rolet kryesore spikasin Albert Verria, Nikolin Xhoja, Flora Mërtiri, Robert Ndrenika, Reshat Arbana dhe shumë aktorë të tjerë të njohur të kinemasë shqiptare.

Një natë e veçantë për dashamirët e filmit shqiptar dhe një mundësi për të përjetuar një klasik që ka mbetur gjallë në kujtesën e brezave.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA