Kandidati i LVV-së për Prishtinën, Hajrulla Çeku, përmes një video-mesazhi ka sfiduar publikisht kryetarin aktual Përparim Rama në një debat të hapur ballë për ballë, ku kërkon që platformat e tyre të krahasohen përballë qytetarëve.
Në Gjilan, kryetari aktual Alban Hyseni ka shënuar një moment simbolik të fushatës duke vizituar një familje që për dekada kishte mbështetur LDK-në dhe tash e ka orientuar besimin te Lëvizja Vetëvendosje.
Jeton Raka në Kaçanik vizitoi një fabrikë mobiliesh, duke premtuar përkrahje për bizneset që krijojnë vende pune dhe zhvillojnë ekonominë vendore.
Kandidati për kryetar të Lipjanit, Ilir Qeriqi akuzoi qeverisjen aktuale për keqpërdorime në projektin e parkingut nëntokësor dhe kërkoi hetime për skandalin financiar.
Shpejtim Bulliqi, që synon një mandat të dytë në Podujevë u zotua për mbështetje të artit dhe artistëve lokalë.
Kandidati për Prizren, Artan Abrashi ka zhvilluar një maratonë takimesh. Ai u zotua për krijimin e një ambienti miqësor për startup-et dhe rritjen e përkrahjes për ndërmarrjet lokale.
Qemajl Aliu, kryetar i Shtimes që kandidon për një mandat tjetër, prezantoi projekte në urbanizëm, infrastrukturë dhe planifikim hapësinor, që synojnë modernizimin e qytetit.
Hamdi Bytyçi në Suharekë premtoi subvencionim për çdo litër qumështi, si përkrahje konkrete për fermerët dhe bujqësinë vendore.
Arsim Ademi në Viti theksoi mbështetjen për fermat dhe zhvillimin e agrobiznesit, duke premtuar zgjerim të përkrahjes edhe në nivel komunal.