Kandidati për kryetar të komunë së Prishtinës nga radhët e partisë “Alternativa”, Mërkur Beqiri, në një takim me ekipin e Innovation Centre Kosovo (ICK) ka prezantuar planin për krijimin e njësive të posaçme për inovacion brenda komunës.
Ai zotohet se do të ketë mbështetjen institucionale për ekosistemin e start-up-eve dhe ndërmarrjeve të reja.
Në Pejë, kandidati për kryetar komune, Reshat Nurboja, ka premtuar ndërtimin e Kampit Botëror të të Rinjve, në zonën malore mbi qytet. Sipas Nurbojës, komuna do të ndajë 5 milionë euro në vitin e parë për ndërtimin e këtij kampi.
Projekti përfshin gjithashtu ndërtimin e teleferikut dhe përmirësimin e rrugëve lidhëse, me qëllim lehtësimin e qasjes në këtë zonë të veçantë.
Ndërkohë, kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila ditën e enjte e kaloi në Prishtinë duke përkrahur kandidaten për asamble komunale Greta Kaçinari, të cilën e ka cilësuar si figurë të veçantë të dijes dhe përkushtimit në fushën e arsimit.