Futbollistët shqiptar të klubit të futbollit Tërnoci të dielën përjetuan tmerrin nga keqtrajtimi i policisë serbe pas ndeshjes kampionale në kuadër të Ligës Rajonale të Rrethit të Pçinjës me skuadrën vendëse, Mlladost, shkruan KosovaPress.
Siç bëri të ditur dje KF Tërnoci, pas ndeshjes, policia serbe hyri në zhveshtoret e klubit në mënyrë agresive duke kontrolluar gjithçka që kishte aty, me arsyetimin se kishte dyshime për posedim të armëve të ftohta. Për më tepër, klubi ka bërë të ditur se njëri nga policët e ka goditur futbollistin, Veton Zeqiri, ndërsa ndaj të tjerëve pasojnë fyerjet e ndryshme.
Për këtë situatë, ka reaguar ashpër edhe deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi. Ai në një shkrim në Facebook, ka dënuar fuqishmë skandalin e ndodhur në Bosiligrad dhe ka kërkuar urgjentisht ndërmarrjen e të gjitha masave, përcjellë KosovaPress.
Kamberi gjithashtu ka thënë se kreu i KF Tërnocit, do të duhet seriozisht të shqyrtojë pjesmarrjen e mëtejshme të këtij klubi në garën e mëtejshme, meqë djelmoshat e KF Tërnoci nuk kanë siguri.
Ky ëshët reagimi i plotë i Kamberit:
Policia keqtrajton futbollistët shqiptarë
Fyerjet e përditshme me termin ofendues “shiptari” nuk jan brohoritje të turmave të huliganëve, ato janë pjesë e një kampanje shtetërore, që me të gjitha mjetet po tenton të shpopullojë Luginën e Preshevës nga shqiptarët.
Dënoj fuqishëm skandalin e ndodhur në Bosiligrad dhe kërkoj urgjentisht ndërmarrjen e të gjitha masave! Ky është një apel serioz ndaj Bashkësisë ndërkombëtare në sytë e së cilës Serbia po diskriminon shqiptarët dhe po kryen dhunë etnike.
Rasti i Bosiligradit, ku u polica serbe keqtrajtoi futbollistët e KF Tërnocit, shpërfaq, sërish, qasjen e Beogradit ndaj shqiptarëve! Shpërfaq sistemin shovinist e albanofob shtetëror i cili është instaluar në të gjithë vendin, në të gjitha institucionet, përfshirë edhe komunat e vogla e multietnike si Bosiligradi!
E djelmoshat e KF Tërnocit dëshmojnë më së miri se sa i padrejtë e diskriminues është ky shtet ndaj shqiptarëve! Se sa të rrejshme i ka Serbia të “drejtat e njeriut dhe pakicave” dhe sa e madhe është urrejtja e tyre ndaj një komuniteti.
Goditja që polici i ka bërë lojtarit të KF Tërnocit është goditje e shtetit ndaj qytetarit. Është goditje e sistemit ndaj gjithë shqiptarëve. Është goditje ndaj sportit e vlerave universale.
Si e tillë, ajo nuk guxon as të izolohet e as të karakterizohet si goditje e rastësishme. Si goditje një individi ndaj tjetrit. Aq më pak të arsyetohet me fjalor policorë.
Thelbi i sajë është i bazuar te sistemi i kalbur, të cilit i takon polici, te ministria e cila i diskriminon në vazhdimësi të rinjtë shqiptarë edhe kur refuzon ti pranojë në konkurse, te shteti që sistematikisht diskriminon.
Dhe si e tillë është e patolerueshme. Si të tillë është e papranueshme. Nuk duhet ta përbijmë asnjë arsyetim të policisë se gjoja “paska me i denu” policët që kanë përdorur dhunë. Do ti dënojë ngjashëm siç i ka dënuar ata që kanë kryer krime lufte.
Kreu i KF Tërnocit, do të duhet seriozisht të shqyrtojë pjesmarrjen e mëtejshme të këtij klubi në garën e mëtejshme, meqë djelmoshat e KF Tërnoci nuk kanë siguri. Ndërsa reagimi politik duhet të jetë unik e i menjëhershëm!