Përfaqësuesja e Lartë e BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Kaja Kallas, e cila ka nisur dje një vizitë në rajon duke shkuar së pari në Beograd, sot pritet të arrijë në Prishtinë.
BE-ja e ka bërë publike agjendën. Në të thuhet se kryediplomatja e BE’së do t’i takojë krerët e partive politike, pa përmendur ndonjë zyrtar të institucioneve.
“Në Kosovë, Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile.
Ajo do të mbajë një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Evropës më 22 maj në orën 15:45, transmetuar drejtpërdrejt në EBS. Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të vizitojë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
Ajo do të takohet edhe me komandantin e KFOR-it Enriko Barduani” thuhet në njoftimin e BE-së
Javën që shkoi, Presidentja Osmani e takoi Kallasin në Tiranë në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian duke njoftuar se kur zyrtarja e BE-së do të vijë në Prishtinë nuk do ta takojë, pasi do të jetë për vizitë në Zvicër.