Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Qytetarët po ankohen se nuk po mund të shëtisin qetë nga insektet në parqet e kryeqytetit.
Në pranverë do të duhej të niste faza e parë e dezinsektimit, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
Qytetarët presin thonë se institucionet kompetente është dashur të marrin masa deri tani.
“Dje bile m’ hongren do mickoja, këto po thonë diqysh janë edhe helmuese, komuna duhet me ja nis mi hekë këto me procedurat e tyre…”, tha Hasim Pasjaqa, qytetar.
Edhe ngasja e biçikletës bëhet më e vështirë, për shkak të insekteve të shumta.
“Nuk e di qa janë vonuar sivjet, tani këto po ngurrojnë edhe mas mbeturinave të shumta e po bohet katastrofë”, tha Afrim Çeku, qytetar.
Vitin e kaluar, dezinsektimi në kryeqytet kishte nisur në muajin maj.
“Vitin e kaluar këso vakti diçka e kanë filluar tash janë vonë pak…”, tha Sali Bytyqi, qytetar.
Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku, e arsyeton vonesën me problemet në procedurat e prokurimit. Mirëpo thotë se javën e ardhshme, do të nis puna.
“Kemi pasur telashe tenderuese, problemi ka qenë në fushën e prokurimit, pasi kontrata e kompanisë paraprake përfundoi në maj, andaj u desh të kontraktohet një kompani e re. Andaj, faza e parë e dezinsektimit do të filloj në ditët e para të javës së ardhshme . Ky proces do të bëhet në të gjitha vendet hapësinore të kryeqytetit, natyrisht duke përcjellë kushtet atmosferike”, tha Sadiku.
Sadiku shpjegon se një ditë para fillimit të dezinsektimit do të njoftohen qytetarët, shoqata e bletarëve dhe kryetarët e bashkësive lokale, me qëllim që t’i shmangin hapësirat publike.
Ky proces ndahet ne 6 faza, ku secila prej tyre zgjat 6 ditë me 10 ditë pauzë pas secilës dhe do t’i përfshijë 6800 hektarë të sipërfaqes së Prishtinës.