Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Sala Jashari ka uruar festën e 28 Nëntorit, duke thënë se është është datë që mban peshën e historisë së rezistencës dhe çlirimit të Kosovës.
Mirëpo, ajo është shprehur se kjo festë nuk e ka zënë vendin e merituar si festë zyrtare në Kosovë. “Sot 28 Nëntori është një festë kombëtare për të gjithë shqiptarët. Gjithashtu, është datë që mban peshën e historisë së rezistencës dhe çlirimit të Kosovës.
Më 28 Nëntor lindi heroi ynë kombëtar Adem Jashari, dhe po në të njëjtën datë shënohet dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1997”.
“Kjo datë nuk është vetëm një shenjë kalendarike.
Ajo është kujtesë e përbashkët, është rrënjë, është trashëgimi që na bashkon dhe na orienton si komb. Megjithatë, në Republikën e Kosovës kjo datë ende nuk e ka zënë vendin e saj të merituar si ditë zyrtare shtetërore, një mungesë që duhet adresuar”, ka shkruar ajo.
Përmes një postimi në Facebook, Jashari u zotua se do të ndërmarrë nismën që 28 Nëntori të shpallet festë zyrtare në Kosovë.
“Andaj, zotohem që, nëse edhe në legjislaturën tjetër do të arrij të jem pjesë e Parlamentit të Kosovës, në pozitën e deputetes, do të ndërmarr nismën që 28 Nëntori të shpallet festë shtetërore në Republikën e Kosovës.
Pavarësisht vështirësive, është e rëndësishme që këto data të bashkohen në një të vetme, si ngjarjet që kanë formësuar identitetin dhe vetëdijen tonë kombëtare”. “Ky propozim nuk synon thjesht ceremonialin.
Ai është njohje e rrugëtimit tonë, është nder për familjet e dëshmorëve, për veteranët dhe për çdo njeri që ka kontribuar për lirinë e Kosovës. Është kujtesë se sakrifica nuk ka qenë e lehtë dhe se identiteti ynë është i gdhendur në përballjet, qëndresën dhe vendosmërinë e popullit tonë.
Kjo është një prej mënyrave se si e lartësojmë kontributin për atdheun, duke e trashëguar këtë ndjenjë përgjegjësie e krenarie te gjeneratat që vijnë”, ka shkruar Jashari.







