Qeveria izraelite dhe Hamasi kanë rënë dakord për një marrëveshje që do të ndalojë përkohësisht luftimet në Gaza dhe do të lejojë lirimin gradual të pengjeve dhe të burgosurve palestinezë, tha një burim i njohur me negociatat për CNN. CBS dhe Sky News raportojnë gjithashtu të njëjtin lajm.
Armëpushimi dhe marrëveshja e pengjeve midis Izraelit dhe Hamasit u arrit pas takimeve të veçanta që kryeministri i Katarit Mohammed bin Abdulrahman al-Thani mbajti me Hamasin dhe negociatorët izraelitë në zyrën e tij, sipas raporteve.
Një zyrtar izraelit konfirmoi për Times of Israel se ishte arritur një armëpushim dhe marrëveshje pengjesh. Gazeta, duke cituar një diplomat të lartë arab, raportoi se SHBA, Katari dhe Egjipti së shpejti do të lëshojnë një deklaratë të përbashkët duke shpallur marrëveshjen.
Presidenti i sapo zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump shkroi në platformën Truth Social: “Kemi një marrëveshje për pengjet në Lindjen e Mesme. Ata do të lirohen shpejt. Faleminderit!”
Më 7 tetor 2023, Hamasi kreu një sulm në jug të Izraelit. Sipas shifrave izraelite, 1200 njerëz u vranë në sulm dhe rreth 250 u dërguan në Gaza si pengje, nga të cilët Hamasi ende mban më shumë se 100.
Pasuan luftime të ashpra midis forcave izraelite dhe Hamas. Gjatë një viti, Izraeli bombardoi më shumë se 40.000 objektiva në Rripin e Gazës, gjeti 4.700 tunele dhe shkatërroi 1 mijë vende lëshimi të raketave.
“Hamasi ka miratuar marrëveshjen dhe ka dorëzuar përgjigjen e tij te ndërmjetësit”, tha zyrtari i lartë i Hamas, Bassem Naim për CNN.
Në një deklaratë të veçantë, grupi tha se ishte konsultuar me grupet militante aleate në lidhje me marrëveshjen e propozuar.