spot_imgspot_img
spot_img

Iu vazhdohet paraburgimi Thaçit, Smakajt dhe Fazliut

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt dhe Fadil Fazliut të cilët së bashku me Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Vendimet e ndara për secilin janë marrë nga gjyqtari i vetëm në këtë rast, Christoph Gosnell, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Vendimi për Thaçin

Serbia ia cakton një muaj paraburgim Avni Qenajt, ankohet për presion psikologjik
Në rastin ku Thaçi akuzohet se udhëhoqi tri grupe të ndara për të ndikuar tek dëshmitarët e Prokurorisë në çështjen në të cilën së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Thaçit i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë.

Mbrojtja e Thaçit kishte argumentuar se i mbrojturi i saj nuk përbën një rrezik për arratisje dhe se mbyllja e afërt e fazës së provave në për krime lufte, si dhe transferimi i kësaj çështjeje në fazën e gjykimit, së bashku me natyrën e provave të Prokurorisë, justifikojnë një vlerësim të ri të rreziqeve të supozuara të pengimit të procedurave dhe kryerjes së krimeve të tjera nga ana e tij.

Gjyqtari Gosnell ka thënë se meqë Apeli ka konstatuar se në rast që një prej kushteve përmbushet për vazhdimin e paraburgimit, atëherë kushtet tjera mund të mos shqyrtohen. Rrjedhimisht, ka vendosur që të mos e shqyrtojë nëse Thaçi përben rrezik të arratisjes në rast se lirohet.

Por, në anën tjetër ka konstatuar se ai mund të ndikojë tek dëshmitarët, të pengojë procedurat dhe rrjedhimisht që të kryejë krime të tjera.

Sipas gjyqtarit, asnjë prej kushteve alternative nuk mund t’i zvogëlojnë rreziqet që dalin nga ky proces.

Vendimi për Smakajn

Gosnell kishte thënë se është i mendimit se ekziston rreziku që nëse lirohet, Smakaj mund të pengojë progresin e procedurave të DhSK-së duke u bazuar në natyrën e akuzave ndaj tij të cilat përfshijnë pretendime për ndikim në dëshmitarë.

Edhe për Smakajn ishte konstatuar se rreziku i ndikimit në dëshmitarë është reduktuar pasi paraqitja e provave të Prokurorisë dhe Mbrojtjes në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së është mbyllur.

Megjithatë, thuhet se Smakaj mund të ndikojë në dëshmitarët e mbrojtjes në çështjen aktuale. Rrjedhimisht, për Smakajn thuhet se ai mund t’i pengojë procedurat dhe të kryej krime të tjera në rast që lirohet.

Kësisoj, gjyqtari ka konstatuar se asnjë prej kushteve të propozuara më para nga mbrojtja nuk mund t’i zbusin mjaftueshëm rreziqet që dalin në rast që Smakaj lirohet me kusht.

Vendimi për Fazliun

Gjyqtari Gosnell në vendimin e tij të parë për vazhdimin e paraburgimit ndaj Fazliut ngjashëm sikur për dy të akuzuarit e tjerë ka thënë se ekziston dyshim i bazuar se ai ka kryer vepra penale që bien brenda juridiksionit të DhSK-së.

Duke u bazuar në atë se Apeli ka deklaruar se nëse njëra nga kushtet përmbushet për caktimin e paraburgimi, kushtet e tjera nuk duhet të shqyrtohen. Rrjedhimisht, Gosnell nuk e konsideroi të nevojshëm për momentin që të bëjë konstatime lidhur me rrezikun që Fazliu mund të arratiset.

Ndërsa, është konstatuar se ekziston rrezik real që Fazliu mund të pengojë progresin e procedurave të DhSK-së.

Në anën tjetër, gjyqtari ka konstatuar se rreziku i pengimit të dëshmitarëve të Prokurorisë është reduktuar në krahasim me periudhat e shqyrtimeve të mëparshme të paraburgimit.

“Gjykatësi i vetëm vëren se dëshmitarët që do të paraqiten për SPO-në, duke marrë parasysh rrethanat e tyre, nuk pritet të jenë subjekt i ndonjë ndikimi nga z. Fazliu ose nga dikush që mund të veprojë në emër të tij”, thuhet në vendim.

Megjithatë, gjyqtari ka konstatuar se ekziston rreziku që Fazliu të ndikojë tek dëshmitarët potencial të mbrojtjes dhe nëse lrohet mund të pengojë progresin e procedurave të DhSK-së. Rrjedhimisht, ai mund të kryejë edhe krime të tjera.

Gjyqtari i vetëm ka thënë se çdo kusht i mundshëm që mund të vendoset nuk e adreson mundësinë që Fazliu mund të përdorë pajisje komunikimi të personave të tjerë, nuk mund të monitorohen plotësisht komunikimet e Fazliut me djalin e tij i cili përmendet në aktakuzë si dhe çdo masë e vendosur nuk mund të jetë efektive sikur qendra e paraburgimit.

Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA