Islanda i është bashkuar Spanjës, Irlandës, Sllovenisë dhe Holandës duke thënë se do të bojkotojë Festivalin e Këngës Eurovision 2026.
Të pesë vendet janë tërhequr pasi pjesëmarrja e Izraelit në konkurs u konfirmua zyrtarisht javën e kaluar, raporton BBC.
“ Pjesëmarrja e transmetuesit kombëtar izraelit, KAN, në konkurs ka krijuar përçarje midis anëtarëve të Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU) dhe publikut të gjerë”, tha transmetuesi islandez RÚV në një deklaratë.
Islanda më parë kishte lënë të kuptohet se nuk do të merrë pjesë në konkursin e vitit 2026, por donte të priste derisa çështja të diskutohej nga bordi i drejtorëve të mërkurën.
Takimi i bordit u mbajt vetëm disa orë para se të kalonte afati që shtetet të konfirmonin nëse do të merrnin pjesë në atë që pritet të jetë edicion festiv i 70-vjetorit të Eurovisionit në Austri në majin e vitit të ardhshëm.






