“Ishte kaos, dëgjuam një përplasje dhe…”, pasagjerët rrëfejnë tmerrin pas incidentit me avion

Një avion i kompanisë Delta, me 80 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit, u përmbys gjatë uljes në Aeroportin Ndërkombëtar Pearson të Torontos të hënën pasdite, mes erërave të forta dhe reshjeve të dëborës.

Menjëherë pas përplasjes, ekipet e zjarrfikësve u vunë në lëvizje për të shuar flakët që shpërthyen rreth avionit të rrëzuar.

Pavarësisht skenës dramatike, të gjithë personat në bord mbijetuan.

Megjithatë, mbetet e paqartë sesi avioni përfundoi përmbys në pistë, me pjesën e poshtme të mbuluar me blozë dhe njërin nga krahët e dëmtuar rëndë. Brenda kabinës, pasagjerët e lidhur me rripat e sigurisë mbetën të varur nga ndenjëset e tyre.

Sipas njoftimit të kompanisë Delta, nuk ka viktima nga aksidenti. Shefi i Zjarrfikësve të Aeroportit të Torontos, Todd Aitken, konfirmoi se 18 persona kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar në spital, përfshirë një fëmijë, i cili ndodhet në gjendje të mirë. Ndërkohë, Shërbimi i Ambulancës në rajonin e Peel raportoi një numër më të ulët të të lënduarve, duke përmendur 15 persona.

Avioni, i identifikuar si fluturimi 4819 i Delta Airlines, ishte nisur nga Minneapolis dhe po afrohej në Toronto rreth orës 14:00 me orën lokale. Në atë moment, erërat e forta arrinin deri në 61 km/h, ndërsa pista ishte pastruar nga rreth 20 centimetra dëborë të rënë gjatë fundjavës.

Vetëm pak çaste para uljes, kontrollorët e trafikut ajror paralajmëruan pilotët për erërat e fuqishme, por brenda dy minutave avioni u përmbys. Një zjarr i madh shpërtheu teksa aeroplani u rrotullua dhe u përplas me pistën, duke krijuar një top flake. Disa pasagjerë përjetuan momente paniku ndërsa mbetën të varur me kokë poshtë nga ndenjëset e tyre.

“Ishte një kaos i vërtetë,” tregoi një nga pasagjerët, Peter Koukov. “Kur e kuptuam se çfarë kishte ndodhur, ishim të gjithë përmbys. Disa pasagjerë arritën të zhbllokonin rripat e sigurisë dhe të qëndronin në këmbë mbi tavanin e kabinës.”

Për fat të mirë, ekuipazhi arriti të organizonte evakuimin, duke ndihmuar pasagjerët të dilnin nga daljet e emergjencës. Pamjet filmike tregojnë njerëz që hidhen nga dera e avionit në tokën e mbuluar me dëborë, ndërsa zjarrfikësit vazhduan të hidhnin shkumë për të shuar flakët.

Ky aksident ka ngritur shqetësime të mëdha mbi sigurinë ajrore, veçanërisht pasi është incidenti i katërt i madh ajror në Amerikën e Veriut brenda një muaji. Aeroporti Pearson, më i madhi në Kanada, u detyrua të pezullojë të gjitha fluturimet për disa orë, duke shkaktuar qindra anulime dhe vonesa.

Zyrtarët kanadezë dhe amerikanë tashmë kanë nisur hetimet për të zbuluar shkakun e aksidentit. Endeavor Air, një kompani rajonale që operon për Delta, konfirmoi se po bashkëpunon me autoritetet për të zbardhur ngjarjen, raporton euronews.

Ky ishte aksidenti më i rëndë në aeroportin e Torontos që nga viti 2005, kur një avion i Air France doli nga pista dhe u përfshi nga flakët, por fatmirësisht të gjithë pasagjerët mbijetuan.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA