Arbnor Spahiu, i arrestuar nga autoritetet serbe më 7 qershor të këtij viti, është liruar të enjten në mesditë nga burgu i Serbisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai theksoi se akuzat ndaj tij ishin pjesë e një “procesi plotësisht politik dhe të padrejtë”.
Në reagimin e tij, Spahiu tha se ndodhet mirë dhe se e ka përballuar me forcë periudhën e vështirë të paraburgimit, duke shprehur mirënjohje të thellë për mbështetjen e marrë nga familja, miqtë, bashkëfshatarët, ish-kolegët e Policisë së Kosovës, institucionet vendore dhe shqiptarët kudo që jetojnë.
Ai falënderoi gjithashtu avokatin e tij, Gvozden Grgur, për angazhimin dhe profesionalizmin gjatë gjithë procesit, si dhe përkthyesin që e shoqëroi në çdo hap. Spahiu vlerësoi edhe ndihmën financiare të ofruar nga qytetarët, duke e cilësuar atë si të domosdoshme në muajt e vështirë të qëndrimit në burg.
“Gëzimin që po shoh në sytë e njerëzve dhe lumturinë për lirimin tim nuk mund ta përshkruaj me fjalë”, ka shkruar ai, duke theksuar se liria e tij ka sjellë emocion të madh tek të gjithë ata që e kanë mbështetur.
“Zoti ju bekoftë të gjithëve!”, përfundoi Spahiu në mesazhin e tij.







