Përgatiti: Besmire Kluna
Në ditën e tretë të dëshmisë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Ish-këshilltari i UNMIK-ut, Hansjeorg Strohmeyer, ka thënë se për ndërkombëtarët, Qeveria e Përkohshme e Kosovës më 1999 nuk kishte ekzistencë nga pikëpamja ligjore.
Këtë gjë, Strohmeyer e pohoi duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues, i përfaqësuar nga gjyqtari Guénaël Mettraux.
‘’Nuk ishim të kujdesshëm në raportet tona me këta individ, por ishim të kujdesshëm që të mos të angazhoheshin ose të ndërvepronin në cilësinë e tyre si funksione qeveritare. Më është bërë një deklaratë gjatë pyetjes time që të I referohej zotëri Thaçit si zoti Kryeministër, ne nuk e kemi quajtur atë si Kryeministër’’, deklaroi Strohmeyer.
Strohmeyer gjatë dëshmisë së tij në Hagë, tha se për atë ka qenë gjithmonë e qartë se Hashim Thaçi ishte i lidhur me të gjitha çështjet politike.
“…..kur kemi pasur biseda për përbërjen e Këshillit Tranzitor të Kosovës (KTK), kur kemi caktuar takime, bisedime për përfshirjen e pjesëtarëve të UÇK-së në forcën e Policisë. Këto takime caktoheshin gjithmonë me zotin Thaçi dhe në një rast ai erdhi bashkë me zotin Çeku. Për ne ky ishte realiteti”, deklaroi më tej Strohmeyer.
Për Çekun, dëshmitari shtoi se nga pikëpamja funksionale ai ishte ushtaraku më i lartë me të cilin kishin kontaktuar për aspekte teknike.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gjyqtarit Guénaël Mettraux, ai tha se nga ajo siç e kishin kuptuar Rezolutën 1244, Shërbimi Informativ nuk kishte qenë në përputhje me Rezolutën.
“Sipas nesh, nuk duhej të kishte asnjë organizatë tjetër që të funksiononte kuazi apo gjysmë shtetërore qoftë kjo UÇK-ja apo ndonjë grupim tjetër. Për ne, nuk mund të kishte ndonjë organizatë tjetër që mund të ushtronte funksione si ndalime, arrestime, gjykime, procese gjyqësore apo nuk mund të ushtronin funksione të një ministrie që përbëjnë një shtet apo Qeveri në kushte normale.
Pra, sipas nesh, kjo vlente edhe për një Shërbim Informativ”, tha Strohmeyer.
Pas përfundimit të dëshmisë së ish-këshilltarit të UNMIK-ut, në Dhomat e Specializuara të Kosovës ka filluar dëshminë dëshmitari i 115-të i Zyrës së Prokurorit të Specializur, John Clarke, i cili është patolog i mjekësisë ligjore dhe është i thirrur për të japë dëshmi si ekspert.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: