Inteligjenca Artificiale dhe sfidat e edukimit në një botë gjithnjë e më dixhitale

Flet Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë

Prof.Dr.Adrian Civici

Inteligjenca artificiale është një metodë për të bërë një kompjuter, një robot të kontrolluar nga kompjuteri ose një softuer të mendojë në mënyrë inteligjente si mendja e njeriut. Ai realizohet duke studiuar modelet e trurit të njeriut dhe duke analizuar procesin njohës. Ajo bazohet në algoritme, që lejojnë makinat të imitojnë një formë të inteligjencës reale. Inteligjenca artificiale (AI) përdor analiza të avancuara dhe teknika logjike për të interpretuar ngjarjet, për të mbështetur dhe automatizuar vendime dhe për të ndërmarrë operacione të caktuara. Kjo teknologji inovative ndihmon në minimizimin e gabimeve dhe përmirësimin e përvojës së përdoruesit në fusha të ndryshme, duke përfshirë arsimin. Programet e studimit apo curriculumet universitare e pas universitare me fokus qëndror Inteligjencën Artificiale janë në trendin e një zhvillimi eksponencial. Investimet në këtë drejtim janë po ashtu në një rritje eksponenciale.

Pyetja dhe pikëpyetja më domethënëse në këto momente është se cili është roli dhe ndikimi i AI në arsimin në përgjithësi dhe universitetet në veçanti? Cilat janë sfidat, përpjekjet dhe shqetësimet e natyrave të ndryshme në përballjen me evolucionin marramendës të AI në të gjitha fushat e jetës dhe aktiviteteve njerëzore, përfshirë këtu dhe arsimin? Analizat, komentet, studimet apo reflektimet e ndryshme shkencore dëshmohen nga frekuenca shumë e lartë e botimeve, artikujve, konferencave shkencore, debateve ndërkombëtare, apo studimeve specifike të tilla si : “Inteligjenca artificiale gjeneruese në arsim: Cilat janë mundësitë dhe sfidat?, “Inteligjenca artificiale dhe e ardhmja e mësimdhënies dhe të nxënit”, “AI në Arsim – Arsimi Tjetër”, “Shembuj të inteligjencës artificiale në arsim”, “Klasat inteligjente: Çfarë do të thotë AI për të ardhmen e arsimit”, “Paradigmat e IA në arsim”, “Potencialet e IA në edukim”, “Rreziqet dhe problematika e përdorimit të IA në arsim”, “Rishpikja e edukimit në një botë digjitale”, etj., etj.

Bota e arsimit po përballet gjerësisht me shtrirjen e jashtzakonshme të AI gjeneruese. Mbas makinave llogaritëse, kompjuterit, uebi-t dhe motorëve të kërkimit, ja një risi tjetër që trondit traditën dhe shkund mënyrat tradicionale të të bërit të gjërave. AI, ashtu si celulari, laptopi dhe tableti, që janë integruar në mënyra të ndryshme në gjithë shkallët e institucioneve arsimore, duhet vlerësuar si një mjet që mund të mbështesë stafin mësimdhënës në ndërhyrjet e tyre dhe jo të zëvendësojë. Sipas Éric Cloutier “Janë të gjitha vetëm mjete … Ne nuk mund ta ndalojmë AI. Do të ishte si të ndalosh internetin: është e pamundur”. “Ne do të duhet të shkëmbejmë dhe bashkëpunojmë për të kuptuar plotësisht mjetet dhe për të mësuar si t’i përdorim ato”.

UNESCO tashmë ka publikuar “Udhëzuesin për AI Gjenerative në Arsim dhe Kërkim”, dokumenti i parë “global” që përmban udhëzime për përdorimin e inteligjencës artificiale (dhe në veçanti të inteligjencës artificiale gjeneruese) në shkolla dhe në përgjithësi në fushën e formimit. Një temë që agjencia e OKB-së e ka përcaktuar si urgjente: “Inteligjenca artificiale gjeneruese – deklaron Audrey Azoulay, drejtore e përgjithshme e UNESCO-s – mund të përfaqësojë një mundësi të madhe për zhvillimin njerëzor, por gjithashtu mund të shkaktojë dëme dhe paragjykime. Ajo nuk mund të integrohet në arsim pa angazhim të madh publik dhe garancitë dhe rregulloret e nevojshme nga qeveritë”.

Përfitimet nga integrimi i AI në arsim

Integrimi i inteligjencës artificiale në sistemin arsimor ka shumë avantazhe e përfitime. AI mundëson personalizimin e përvojave të të mësuarit, duke ofruar mundësinë për t’iu përgjigjur në mënyrë specifike nevojave individuale të nxënësve e studentëve. Duke përdorur algoritme të sofistikuara të AI, mësuesit mund të përshtatin kurrikulën dhe metodat e mësimdhënies bazuar në pikat e forta, dobësitë dhe stilet unike të të mësuarit të secilit student. Sistemet adaptive të të mësuarit, të mundësuara nga AI, mund të rregullojnë automatikisht nivelin e vështirësisë së ushtrimeve bazuar në performancën e studentëve. Mjetet dhe platformat e të mësuarit të “ndihmuara” nga AI luajnë një rol jetik në përmirësimin e aksesit në arsim. Kjo aksesueshmëri e përmirësuar ndihmon në krijimin e një mjedisi mësimor më gjithpërfshirës dhe të barabartë për të gjithë, pavarësisht nga niveli i tyre i aftësive, apo nevojat specifike.

Nga ana tjetër, automatizimi i detyrave administrative dhe përmirësimi i menaxhimit të përgjithshëm të institucioneve arsimore paraqesin avantazhe të rëndësishme të AI në arsim. Sistemet e AI mund të përdoren për të thjeshtuar proceset administrative, të tilla si menaxhimi i orareve, burimeve dhe të dhënave të studentëve, duke liruar kohë për mësuesit dhe stafin mësimor e akademik për t’u përqendruar në detyrat me vlerë të shtuar më të lartë, si mësimdhënia, mentorimi dhe mbështetja e personalizuar për studentët..

Aplikimet e AI në arsim

Ekzistojnë të paktën katër aplikime konkrete të AI në arsim të tilla si: mjetet parashikuese, platformat adaptive të të mësuarit, robotët bashkëbisedues dhe mjetet e analizës në kohë reale. Integrimi i AI në arsim ka aplikime të gjera dhe mjaft të larmishme. AI përdoret për të hartuar kurse të përshtatura për nevojat specifike të studentëve, duke marrë parasysh nivelin e të mësuarit, interesat dhe aftësitë e tyre. P.sh., sistemet adaptive të të mësuarit të fuqizuara nga AI mund të rregullojnë automatikisht përmbajtjen e kursit/programit bazuar në përparimin individual të studentëve, duke ofruar një përvojë mësimore më të personalizuar dhe efektive. Veç këtyre, Inteligjenca Artificiale ofron potencialin për të zbuluar mashtrimet e ndryshme me karakter mësimor, detyrave praktike, apo akademike, për të siguruar integritetin e provimeve dhe për të ofruar përvoja më të individualizuara të të mësuarit. “Sistemet e integritetit akademik” të bazuara në AI mund të analizojnë modelet e përgjigjeve /testeve/ detyrave/punimeve të nxënësve e studentëve për të identifikuar çdo formë mashtrimi, apo cënimi integriteti e korrekteve duke ndihmuar në ruajtjen e standardeve etike në institucionet arsimore”.

Sfidat etike të AI në arsim

Ndërsa teknologjitë po evoluojnë vazhdimisht, kufiri etik i inteligjencës artificiale nuk është as shumë i qartë dhe as shumë konsensual. Për më tepër, për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje duhet të merren parasysh tre elementë të rëndësishëm : autonomia, konfidencialiteti dhe rreziku i diskriminimit të përdoruesve. Etika në inteligjencën artificiale i referohet vlerave dhe parimeve që duhet të udhëheqin zhvillimin dhe përdorimin e sistemeve teknologjike për të siguruar që ato të përdoren me përgjegjësi, drejtësi, transparencë dhe të sigurtë.

Integrimi i inteligjencës artificiale në arsim evidenton edhe disa sfida të tjera të rëndësishme dhe konsiderata etike. Një nga këto sfida është “frika nga humbja e vendeve të punës për shkak të automatizimit të detyrave në institucionet arsimore … frika se AI mund të zëvendësojë disa funksione të kryera tradicionalisht nga mësuesit apo pedagogët, duke ngritur pyetje për të ardhmen e punësimit në sektorin e arsimit”. Një “fushë tjetër shqetësuese është mundësia e mashtrimeve të ndryshme nga ana e një pjese të nxënësve apo studentëve të lehtësuar nga AI”, sidomos fenomeni i plagjiaturës. Në këtë këndvështrim, është thelbësore të arrihet një ekuilibër midis përdorimit të duhur të AI dhe mbrojtjes kundër rreziqeve të mundshme. Kjo nënvizon rëndësinë e ndërgjegjësimit të mësuesve, pedagogëve, nxënësve e studentëve për çështjet etike dhe kritike të AI. Për më tepër, integrimi i një dimensioni etik në trajnimin e teknologjisë është thelbësor për të siguruar që AI përdoret me përgjegjësi e në mënyrë etike në arsim.

Roli i mësuesve/nxënësve & pedagogëve/studentëve në përdorimin e AI

Integrimi i AI në arsim ngre disa pyetje thelbësore në lidhje me rolin e mësuesve dhe studentëve në përdorimin e kësaj teknologjie. Mësuesit/pedagogët luajnë një rol themelor në të kuptuarit dhe adoptimin e AI në klasa apo auditore. Ata duhet të trajnohen mbi konceptet themelore të AI, aplikimet e saj arsimore dhe mjetet specifike të disponueshme për të përmirësuar mësimdhënien dhe të nxënit. Mësuesit duhet të informohen për konsideratat etike dhe sfidat e mundshme të përdorimit të AI në arsim, për të siguruar përdorimin e përgjegjshëm dhe etik të teknologjisë. “Inteligjenca artificiale është një ndihmë për vendimmarrje dhe jo një mjet për të zëvendësuar gjykimin profesional. Nxënësi apo studenti është në qendër të shqetësimeve në mjediset arsimore, prandaj ai duhet të jetë në qendër të reflektimeve të ekipeve që zhvillojnë mjete teknologjike”.

Gjithashtu, studentët duhet të jenë të përgatitur për të kuptuar dhe përdorur në mënyrë efektive AI. Kjo përfshin ndërgjegjësimin për teknologjinë, përfitimet dhe kufizimet e saj, dhe se si ajo mund të integrohet në procesin e tyre të të mësuarit. Studentët duhet të inkurajohen të mësojnë aftësitë e të menduarit kritik dhe zgjidhjes së problemeve në lidhje me AI, në mënyrë që të bëhen përdorues të informuar dhe të përgjegjshëm të teknologjisë, të mësojnë të vlerësojnë në mënyrë kritike rezultatet e krijuara nga mjetet e bazuara në AI, të kuptojnë implikimet etike të AI dhe të përdorin teknologjinë në mënyrë etike dhe të përgjegjshme. “Në vend që të përpiqemi t’i ndalojmë studentët të përdorin ChatGPT, ne duhet të reformojmë mënyrën se si japim mësim. Kjo reformë nuk duhet të ketë të bëjë me gjetjen e detyrave të vështira për të cilat studentët nuk mund të përdorin ChatGPT. Ne duhet të sigurojmë që studentët të mund të përdorin sistemet e AI në mënyrë korrekte,” -deklaron Claire Boine nga Universiteti i Ottaëa, Kanada. “Rritja e ndërgjegjësimit midis studentëve tuaj dhe vënia e tyre në përdorimin e mjeteve të AI në një kontekst arsimor është e mirë.

Sa e njohin dhe si e përdorin studentët dhe universitetet AI?

Inteligjenca Artificiale, me potencialin e saj për të revolucionarizuar mënyrën se si studentët pedagogët mendojnë për të mësuarit, po gjeneron shumë emocione pozitive, por edhe shumë shqetësime. Aktualisht, egziston një debat mjaft i madh në këtë aspekt. Qëndrimet variojnë ndërmjet dy pozicioneve ekstreme ndaj njëri-tjetrit : mes qëndrimit se AI është e ardhmja dhe ajo duhet të shtrihet sa më gjerësisht dhe pa asnjë hezitim në çdo hallkë e element të funksionimit të universiteteve e institucioneve të arsimit … deri në qëndrimin se ajo duhet të ndalohet e kufizohet sa më shumë që të jetë e mundur si e pa efektshme, deri e rrezikshme. IA mund të inkurajojë një qasje tepër të standardizuar ndaj mësimdhënies dhe vlerësimit, ku aftësitë dhe performanca e studentëve reduktohen në tregues sasiorë. Kjo mund të anashkalojë shumëllojshmërinë e talenteve individuale, stilet dhe interesat e të mësuarit, duke çuar në një humbje të pasurisë dhe kreativitetit në arsim. Kjo mund të inkurajojë të mësuarit e fokusuar në gjetjen e përgjigjeve të sakta dhe jo në kuptimin e koncepteve në thellësi. “Mjaft shembuj nga përdorimi i gjerë i ChatGPT na tregon se disa institucione e ndaluan atë nga frika se ky mjet do të lehtësonte mashtrimin dhe do të çonte në një rënie të standardeve akademike, ndërsa të tjerët e mirëpritën atë në klasat e tyre sepse u dukej e pamundur të luftonin kundër këtyre teknologjive – dhe të luftonin një luftë humbëse. A duhet të ndalohet AI nga shkollat apo universitetet?”

Një përgjigje cilësore në këtë debat thelbësor jep një sondazh i kryer nga Instituti Britanik i Politikave të Arsimit të Lartë, i cili ofron njohuri të vlefshme për qëndrimet dhe praktikat e studentëve britanikë. Përfundimet e tij mund të shërbejnë si një udhërrëfyes i vlefshëm për universitetet, studentët apo pedagogët në punën e tyre me AI. Studimi tregon përdorim të konsiderueshëm dhe të larmishëm të mjeteve të AI nga studentët. Më shumë se gjysma e studentëve të anketuar (53%) përdorin mjete gjeneruese të AI për të përgatitur punime të ndryshme të tyre. 36% e studentëve i konsiderojnë këto mjete si “mësues privatë” efektivë për shpjegimin e koncepteve komplekse”.

Siç shkruan Joss Freeman: “deri më tani, institucionet e arsimit të lartë kanë përmbushur standarde rigoroze dhe ato janë për t’u vlerësuar. Studentët u besojnë institucioneve për të identifikuar përdorimin e mjeteve të AI dhe ndjehen se stafi e kupton se si funksionon AI.

AI si një element fondamental i një kulture dixhitale për të mësuar

Sfida e integrimit të AI në arsim qëndron në mënyrën se si përgatiten studentët për një të ardhme ku AI luan një rol udhëheqës. Për ta bërë këtë, nxënësit e studentët duhet të zhvillojnë një kuptim teknik të AI, por edhe aftësi për ta përdorur këtë teknologji në mënyrë etike dhe të përgjegjshme. Duhet të bëhet dallimi midis aftësive dixhitale dhe kulturës dixhitale.pra, një qasje strategjike. Aftësitë e sotme dixhitale, që lidhen me softëerin, gjuhët, sistemet, platformat, janë të destinuara të evoluojnë me shpejtësi, për shkak të shkallës së lartë të inovacionit dixhital, ndërsa Kultura dixhitale përfaqëson bazën teorike e konceptuale që do të krijojë mundësitë nesër të ndryshojë me vetëdijen e plotë sistemet dixhitale duke lëvizur në një vizion më të gjerë e perspektiv.

Përdorimi edukativ i inteligjencës artificiale është një temë që nuk shqetëson vetëm nxënësit”, -shkruan Chiara Panciroli, profesore në Departamentin e Shkencave të Edukimit të Universitetit të Bolonjës, “Ajo prek edhe mësuesit, stafin administrativ, drejtuesit, familjet: të gjithë aktorët e sistemit shkollor. Një nga temat më të rëndësishme është ajo e të ashtuquajturës shpjegueshmëri, pra të kuptuarit dhe shpjegimin se çfarë është dhe si funksionon inteligjenca artificiale”. Kjo do të thotë: përpara se t’i përdorni ato, para se të hidhni hipoteza se për çfarë t’i përdorni, së pari duhet t’i njihni këto mjete. Kuptoni se si punojnë ato, cili është potenciali i tyre dhe (mbi të gjitha) cilat janë kufijtë e tyre. Por gjithashtu shmangni konsiderimin e tyre si një kuti të zezë që përpunon një hyrje dhe kthen një dalje të caktuar. Shpjegueshmëria është pikërisht kjo: ne duhet të jemi gjithmonë në gjendje të kuptojmë dhe interpretojmë përmbajtjen dhe parashikimet e krijuara nga një inteligjencë artificiale. Dhe për ta bërë këtë ne kemi nevojë për një kulturë të inteligjencës artificiale, e cila aktualisht mungon ende si te nxënësit ashtu edhe te mësuesit. “Në rastin e inteligjencës artificiale gjeneruese si ChatGPT, për shembull, është thelbësore të kuptosh se si funksionojnë kërkesat, që duhet t’i jepen sistemit: me kërkesa të këqija keni rezultate të këqija dhe mjetet humbasin dobinë e tyre.”

Në të vërtetë, teknologjia nuk është as e mirë, as e keqe dhe as neutrale; varet nga qëllimi i personit që e përdor atë. Në lidhje me këtë, le të citojmë disa nga këto aftësi: 1.Mendimi kritik dhe zgjidhja e problemeve: AI gjeneruese mund të përpunojë dhe analizojë të dhëna me shpejtësi dhe shkallë të paprecedentë, duke zhvilluar aftësinë për të bërë pyetjet e duhura dhe për të interpretuar rezultatet vendimtare. Studentët duhet të mësojnë të përdorin AI si një mjet për të plotësuar dhe zgjeruar gjykimin dhe kreativitetin e tyre, në vend që thjesht ta zëvendësojnë atë me AI. 2. Etika dhe përgjegjësia: Ndërsa AI bëhet më i integruar në jetën tonë të përditshme, pyetjet etike dhe dilemat morale bëhen më komplekse. Studentët duhet të edukohen për të marrë parasysh pasojat e përdorimit të AI, duke përfshirë ndikimet në privatësi, barazi, përfshirje dhe qëndrueshmëri. 3. Aftësitë teknologjike: Studentët duhet të kuptojnë se si janë ndërtuar këto sisteme dhe të punojnë për t’i zotëruar ato. Kjo përfshin njohuritë bazë të programimit, mësimin e makinerive e pajisjeve specifike, përpunimin e gjuhëve të ndryshme të programimit, mësimin e shkencës së të dhënave, etj.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA