Përgatiti: Armand Hoti
Dyert janë të hapura. Komuna paralele e Prishtinës në Graqanicë, po vazhdon punën normalisht.
Stafi i punësuar këtu, nuk pranoi të flasë për televizionin. Por, një nëpunës i kësaj komune, jo-zyrtarisht tregoi për ATV-në disa nga shërbimet që ofron kjo komunë.
“Ofiqari punon, vërtetime, fotokopje të gjitha punojnë. Kemi drejtori, lëshojmë subvecione. E gjitha financohet nga Serbia. Marrim pagë rreth 550 euro”, thuhet në përgjigjen e nëpunësit të kësaj komune.
Mirëpo, komuna paralele e Prishtinës në Graqanicë, sipas të dhënave zyrtare të autoriteteve serbe, është vetëm njëra nga mbi 20 komunat paralele që operojnë në territorin e Republikës së Kosovës, që nga paslufta.
Politologu Fidan Ukaj, thotë këto institucione paralele cenojnë integritetin e shtetit të Kosovës.
“Këto institucione padyshim se janë të jashtë-ligjshme. Me një fjalë këto institucione duhet të mbyllen dhe nuk duhet të ekzistojnë më”, tha Ukaj.
Duke iu referuar marrëveshjes së vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë, Ukaj thotë se këto institucione do duhej të inkuadroheshin në kuadër të institucioneve e Kosovës.
“Edhe pse me marrëveshjen për normalizimin e raporteve të vitit 2013, parashihet inkuadrimi i tyre në institucionet e Kosovës, Serbia vazhdon me këtë destruktivitet të saj, duke i mbajtur gjallë insitucionet paralele, duke lëshuar dokumentacion për komunitetin serb në Kosovë”, tha Ukaj.
As Bashkimi Evropian e as Qeveria e Kosovës, nuk iu kanë përgjigjur pyetjeve të ATV-së lidhur me këtë temë.
Kurse, profesori universitar Basri Muja thotë se pikërisht Bashkimi Evropian ka rol kyç për shuarjen e tyre.
“Të jem i sinqertë nuk mendoj që mundë të ketë një zhbërje vullnetare të tyre nga Qeveria e Serbisë, Qeveria e Kosovës duhet të ushtrojë presion tek bashkësia ndërkombëtare sepse çelësi është aty”, tha Muja.
Ndërsa në rast të themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas profesorit Muja, institucionet paralele në Kosovë vetëm se do fuqizoheshin edhe më tepër.
Pos komunave, Serbia investon edhe në sistemin arsimor të Serbisë në Kosovë. Ndërsa njëjtë vepron edhe me sistemin e shëndetësisë, kulturës e të tjera.
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: