Komuna e Prishtinës ka bërë inaugurimin e “Sheshit Erhard Busek” në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Kryetari Përparim Rama, ka thënë se Erhard Busek është një mik i madh i Kosovës, një mik i madh i yni që na ka ndihmuar gjatë kohëve më të vështira, gjatë kohës së luftës.
“Unë së bashku me ambasadorin e Austrisë, edhe presidentin e Organizatës së Miqësisë së Kosovës dhe Austrisë, sapo erdhëm nga Kuvendi i kryeqytetit ku në mënyrë unanime së bashku me të gjithë asamblistët, të gjitha grupet parlamentare votuam që këtë shesh ta emërtojmë Erhard Busek. Erhard Busek është një mik i madh i Kosovës, një mik i madh i yni që na ka ndihmuar gjatë kohëve më të vështira, gjatë kohës së luftës, gjatë kohës kur studente e asaj kohë nuk kanë pasur mundësi të studiojnë. Ka qenë dr. Erhard Busek që i ka hapur mundësi me mijëra studentëve nga Kosova që të studiojnë, të avancohen të bëhen profesionist dhe tashmë edhe t’i ndihmojnë vendit tonë në hapa e radhës për të ardhmen e ndritshme të vendit”, ka thënë Rama.
Ndërsa, ambasadori i Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, ka thënë se për dekada me radhë Busek punoi pa u lodhur për integrimin e Evropës Lindore dhe Evropës Juglindore në Bashkimin Evropian.
“Sot është vërtet një ditë historike. Sot shënohet trevjetori i ndarjes nga jeta të Erhard Busseck, dhe jam i sigurt se ai do të ishte shumë i nderuar dhe krenar që ky shesh, përpara Bibliotekës Kombëtare, shumë pranë Rektoratit të Universitetit dhe gjithashtu pranë Bibliotekës së Vogël Austriake brenda këtij objekti të Universitetit, po merr emrin e tij. Erhard Busseck ishte një vizionar. Për dekada me radhë, ai punoi pa u lodhur për integrimin e Evropës Lindore dhe Evropës Juglindore në Bashkimin Evropian, që para rënies së Perdes së Hekurt. Ishte ai që, që në vitet 1980, kontrabandoi libra nga Austria në vendet pas Perdes së Hekurt, prandaj është shumë domethënëse që ky shesh, përpara një biblioteke, të mbajë emrin e tij”, ka thënë ai.
Schnetzer, tha se Busek ishte Zëvendëskancelar i Austrisë dhe Ministër i Shkencës dhe Kërkimit, përgjegjës për universitetet, kur Austria u bë vendi i parë që njohu diplomat dhe dokumentet e sistemit paralel arsimor në shqip, në kohën kur ishte e ndaluar të mësohej dhe të funksiononin universitetet në gjuhën shqipe.
“Ai luajti një rol vendimtar në atë vendim, duke bërë të mundur që studentët nga Kosova të vinin në Austri dhe të vazhdonin studimet e tyre atje, me Austrinë si vendin e parë që njohu diplomat e Kosovës”, tha ai.