15.9 C
Pristina
E enjte, 19 Shtator, 2024

IKD: Drejtësia nuk është prioritet në buxhetin e shtetit

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se drejtësia nuk është prioritet në buxhetin e shtetit, përkundër faktit se gjykatat janë adresa përfundimtare ku qytetarët kërkojnë zgjidhje për kontestet e tyre.

Shala gjatë publikimit të raportit “Drejtësia me qytetarin në qendër – për të shkallëzuar investimin në atë që funksionon për ta realizuar OZhQ-në 16.3 në Kosovë”, tha se për ta orientuar drejtësinë kah qytetari, financimi adekuat është thelbësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se mungesat në gjyqësor kanë bërë që organet e drejtësisë nuk kanë mundur t’u përgjigjen kërkesave të qytetarëve. Sipas tij, kjo i atribuohet pamundësisë së gjykatës për të zgjidhur të paktën aq lëndë sa ka pranuar, çfarë ka çuar në një rritje të vazhdueshme të numrit të lëndëve civile të pazgjidhura.

Sipas të dhënave të prezantuara, deri në fund të vitit 2023, numri i lëndëve civile kontestimore të pazgjidhura ka arritur në 112 mijë e 623.

Në gjysmën e parë të vitit 2024, Shala tha se numri i lëndëve civile kontestimore të zgjidhura është rritur dukshëm. Megjithatë, për shkak të rritjes së numrit të lëndëve hyrëse, rezultati ka mbetur i pandryshuar. Gjyqësori përsëri nuk ka arritur të zgjidhë aq lëndë sa ka pranuar. Rrjedhimisht, numri i lëndëve civile kontestimore është rritur në 123 mijë e 243 lëndë të pazgjidhura.

Shala tha se krahas rritjes së numrit të lëndëve duhet të shtohet edhe rritja e gjyqtarëve nëpër gjykata. Ai tha se numri i gjyqtarëve në sistemin gjyqësor është rritur për çdo vit dhe mbështetja buxhetore për këtë nismë konsiderohet shumë pozitive, sepse siguron që gjyqësori të ketë resurse adekuate për t’i shqyrtuar lëndët gjyqësore brenda një afati kohor të arsyeshëm.

“Aktualisht në gjykatat e Kosovës janë gjithsej 434 gjyqtarë. Në mesin e tyre, 367 gjyqtarë kanë zgjidhur lëndë gjatë vitit 2023, ndërsa 145 gjyqtarë janë caktuar posaçërisht në divizionet civile të departamenteve të përgjithshme të gjykatave themelore dhe Gjykatës së Apelit. Megjithatë, që nga viti 2018, numri i lëndëve civile është dyfishuar”, u shpreh ai.

Hulumtuesi i IKD-së, shtoi se në kërkesën buxhetore për vitin 2024, KGjK-ja ka kërkuar rritje të numrit të gjyqtarëve për 30 pozita. Kostoja buxhetore për miratimin e këtij propozimi është 512 mijë e 568 euro. Por, kjo kërkesë sipas tij, është refuzuar nga Kuvendi gjatë miratimit të Ligjit për Ndarjet Buxhetore për vitin 2024.

Veç mungesës së gjyqtarëve, ai tha se dispozita ligjore që çdo gjyqtarë të ketë një bashkëpunëtor profesional nuk është përkrahur me buxhet.

“Aktualisht, sistemi gjyqësor e ka një mungesë prej 151 bashkëpunëtorësh profesionalë, që do të thotë se kërkesa ligjore për ta caktuar një bashkëpunëtor profesional të veçantë për secilin nga 151 gjyqtarët brenda sistemit gjyqësor mbetet e paplotësuar”, tha Shala.

Sipas tij, kërkesa buxhetore prej KGJK-së për këta bashkëpunëtorë profesionalë nuk është aprovuar.

Në anën tjetër, ai tha me Ligjin për Gjykatat, KGjK-ja është obliguar që të themelojë degë të reja të gjykatave, konkretisht degët në Fushë-Kosovë, Obiliq, Ranillug, Partesh, Kllokot, Verboc, Mamushë, Junik, Shtime dhe Hani i Elezit.

Shala tha se sipas informatave të ofruara nga KGjK-ja, dega në Fushë Kosovë është themeluar dhe aktualisht është në proces të funksionalizimit, ndërsa për degët tjera vendimet do të varen nga kufizimet buxhetore.

“Pas analizimit të kërkesës buxhetore për vitin 2024, është evidente se KGjK-ja nuk e ka përfshirë çështjen e themelimit të degëve të reja të gjykatave në kërkesën e tij. Rrjedhimisht, gjyqësori nuk ka kërkuar asnjë buxhet shtesë për këtë qëllim”, u shpreh ai.

Po ashtu, Shala tha se janë identifikuar raste kur palëve në procedurë nuk u janë ofruar shërbime të përkthimit kur procedurat gjyqësore nuk janë zhvilluar në gjuhën amtare të tyre.

Ai tha se për t’i përmbushur këto obligime, sistemi gjyqësor duhet të ketë resurse të mjaftueshme. Në kërkesën buxhetore për vitin fiskal 2024, KGjK-ja e ka futur një kërkesë për financim shtesë për t’i mbuluar 10 pozita për përkthyes.

“Kostoja në lidhje me përmbushjen e kësaj ka qenë afërsisht 452,000 euro. Kjo kërkesë nuk është aprovuar nga Kuvendi dhe nuk është përfshirë në Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2024”, shtoi Shala.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me përkrahjen e Projektit të USAID-it për Drejtësi, të enjten organizou tryezë diskutimi, në të cilën u publikua raporti “Drejtësia me qytetarin në qendër – për të shkallëzuar investimin në atë që funksionon për ta realizuar OZhQ-në 16.3 në Kosovë”.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA