Arabia Saudite riafirmoi mbështetjen e saj “të palëkundur” për një shtet palestinez të mërkurën pasi Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump përsëriti synimin e tij që SHBA të “marrë përsipër” pronësinë e Rripit të Gazës gjatë një konference për shtyp me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite përsëriti gjithashtu qëndrimin e saj se nuk do të angazhohej për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin pa garancinë e një shteti palestinez.
“Arabia Saudite do të vazhdojë përpjekjet e saj të pandërprera për të krijuar një shtet të pavarur palestinez me Jerusalemin Lindor si kryeqytet dhe nuk do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Izraelin pa këtë”, thuhet në deklaratën në Twitter.
Ministria bëri thirrje gjithashtu për “përfundimin e pushtimit izraelit të tokave palestineze”.