E pazakontë po cilësohet ajo çfarë ngjau të enjten në Prishtinë, kur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk u prit në takim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Për shkak të situatës aktuale në Kosovë, opinionistë nga Tirana e Prishtina, vlerësojnë se ky takim duhej mbajtur patjetër.
“Ngjarja bëhet edhe më tronditëse në opinion publik gjithëshqiptar, për arsyen se jo vetëm se cenohet për herë të parë një protokoll i tillë, por, në kontekstin e zhvillimeve dhe sidomos në raport me çështjet kruciale, me të cilat përballet Kosova, kjo pozitë e mostakimit dhe moskomunikimit institucional mes dy kryeministrave, është padyshim nga më të rëndat. Në historinë e diplomacisë së brendshme shqiptare, ky është një precedent unik që nuk ka ndodhur kurrë më parë”, tha Aleksandër Çipa, opinionist.
Megjithatë, efektet e acarimit të marrëdhënieve Kurti – Rama, në nivele të shkëmbimeve ndërshtetërore, sipas Aleksandër Çipës, nuk janë të konsiderueshme.
“Kemi të bëjmë vetëm me një efekt që lidhet me atë protagonizmin që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndërmarrë periudhën e fundit, duke e kaluar diplomacinë e Shqipërisë, nga një pozitë e gjenerimit të stabilitetit në rajon, në një pozitë të protagonizmit dhe nismave, të cilat e rrisin imazhin e kësaj Republike”, tha Çipa.
Për dallim nga parafolësi i tij, Tomor Avdija, mendon që pasojat e raportit të acaruar mes dy kryeministrave, mund të jenë bukur të mëdha.
“Pasojat vijnë të menjëhershme, sepse dobësohet vendimmarrja jonë në mekanizma ndërkombëtarë, dobësohet ajo gjeopolitika jonë në veprim në Ballkan dhe zvogëlohet ajo rezistenca jonë në kërkim të së drejtës sonë”, tha Avdija.
Rol të madh në ftohjen e raporteve Kurti – Rama, luajti anulimi i mbledhjes së përbashkët.
“Faktikisht ajo çka ndodhi dje ishte e paralajmëruar me herët, sepse zanafillën e ka pak më herët kur kryeministri Edi Rama e anuloi mbledhjen e përbashkët të dy qeverive më 14 qershor…”, tha Avdija.
Ndërkohë, kryeparlamentari Glauk Konjufca, pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë, tha se raportet ndërmjet Kurtit dhe Ramës janë lënduar, megjithatë, shtoi se kjo do të rregullohet së shpejti. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: