Gjatë qëndrimit të tij në Doha, ku po merr pjesë në Forumin e Sigurisë Globale, ish-ministri i jashtëm Enver Hoxhaj është takuar me Ministrin e Financave të Sudanit, Gebreil Ibrahim Mohamed.
Në një postim në rrjetin social Facebook, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj ka theksuar se e ka falënderuar ministrin sudanez për mbështetjen e vazhdueshme dhe njohjen që Sudani i ka bërë pavarësisë së Republikës së Kosovës.
“Kënaqësi ta takoj Dr. Gebreil Ibrahim Mohamed, Ministër i Financave i Sudanit. E falenderova për mbështetjen dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Sudani! 🇽🇰🤝🇸🇩”, ka shkruar Hoxhaj.
Takimi në Doha shënon një tjetër moment të rëndësishëm të diplomacisë parlamentare dhe angazhimit ndërkombëtar të Hoxhajt në promovimin e Kosovës dhe forcimin e marrëdhënieve me vendet partnere.
Forumi i Sigurisë Globale, ku po merr pjesë Hoxhaj, po zhvillohet në Doha dhe mbledh liderë politikë, diplomatë dhe ekspertë nga mbarë bota për të diskutuar sfidat globale të sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.