Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se partia e tij po hyn në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit me unitet të plotë dhe me bindjen se qytetarët do t’i rikthejnë besimin LDK-së.
Ai ka bërë të ditur se kryetari i partisë, Dr. Lumir Abdixhiku, është nominuar për kandidat për kryeministër.
“Me unitet të plotë, kemi nderin që e nominuam për Kryeministër kryetarin tonë, Dr. Lumir Abdixhikun, që do të përkthehet me unitet qytetar në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit,” tha Haziri.
Ai kritikoi gjendjen aktuale politike në vend, duke thënë se mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe vullnetit politik ka çuar Kosovën në bllokadë të plotë.
“Është e thjeshtë. Mungoi bashkëpunimi e vullneti dhe vendi u bllokua në një krizë politike të planifikuar e të menaxhuar. Kosova sot as nuk është më e pavarur, as më e lirë e as më demokratike. Është pa Kuvend, pa Qeveri dhe shpejt edhe pa buxhet shteti,” u shpreh ai.
Sipas Hazirit, zgjedhjet e 28 dhjetorit janë mundësia për t’i dhënë fund, siç i quajti ai “territ politik” dhe për t’u rikthyer te vlerat tradicionale të vendit.
“Është mundësia që më 28 dhjetor të mos ecim edhe tutje nëpër terr politik, por t’i kthehemi familjes, atdheut e Zotit,” tha ai, duke shtuar se LDK përfaqëson shpresën për një të ardhme më të mirë.
Haziri theksoi se partia ka kontribuar vazhdimisht në proceset shtetformuese. Ish-kryetari i Gjilanit tha se vendi ka nevojë për rikthimin e LDK-së në qeverisje.
“Kosova ka nevojë për dashni. Kosova ka nevojë për LDK-në si asnjëherë më parë”, ka shkruar Haziri. /Telegrafi/







