Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje që po mban peng Kuvendin e Kosovës si pasojë e mungesës së marrëveshjes për formimin e qeverisë së re.
Ai duke hyrë në sallën plenare të Kuvendit për vazhdimin e seancës konstituive, tha se LVV-ja s’po bën asnjë përpjekje për zhbllokimin e situatës në Kuvend.
“E drejta politike për të propozuar nuk do të thotë e drejtë absolute. Duhet të kërkohet një mundësi e një konsensusi më të gjerë ose duhet të ndodh një marrëveshje politike. Kjo s’po ndodh dhe vazhdojmë. Propozimi nuk është i mjaftueshëm duhet me qenë i zgjedhur. Me faktin se s’po ka përpjekje me zgjedh zonjën që është nominuar tregon qartë se është vendim politik. S’ka marrëveshje për qeveri dhe kuvendi po mbahet peng”
Përkundër dështimit të konstituimit të Kuvendit për herë të shtatë, Haziri tha se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani s’ka asnjë detyrë në situatën aktuale politike dhe se “nuk duhet të përzihet”.
“Ajo nuk garanton konstituimin e legjislativit pasi duhet të votojnë 120 deputetë. Ajo [presidentja] duhet të rrijë në këndin e vet dhe të mos përzihet”, tha ai./KP