Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për media është pyetur edhe mbi ligjin për Kodin Civil, i cili mes tjerash, lejon martesat mes gjinive të njëjta.
Haxhiu ka bërë me dije që nuk janë të sigurtë që ligji mund të kalojë, dhe se për këtë arsye, nuk po procedohet në Kuvendin e Kosovës, raporton Nacionale.
“Kodi Civil është një nga zotimet apo punët të cilat ne i kemi adresuar, por që ende nuk ka arritur të kalojë në Kuvendin e Kosovës. Qeveria konsideron që është i rëndëishëm. Adreson institute të reja që nuk adresohet, është në interest ë të gjithë qytetarëve, avancon të drejtat e njeriut, prandaj e konsiderojmë të rëndësishëm.” – ka thënë ajo.
Haxhiu mes tjerash ka shtuar se nuk kanë hequr dorë nga dokumenti, dhe se obligim për kalimin e tij, ka edhe opozita.
“Nuk kemi hequr dorë nga ai dokument, sepse ne nuk i negociojmë të drejtat e njeriut. Prandaj, do ta procedojmë në momentin kur kemi siguri që Kodi Civil kalon, në këtë drejtim nuk është obligim veç i mazhorancën, por edhe i opozitës që të marrin pjesë në votim, ta shprehin vullnetin e tyre me votë, për, kundër ose abstenim. Çka na ndodhë me këtë opozitë, edhe përkundër faktit që hedhin akuza të ndryshme, kundërshtojnë ligjë, janë të rralla herët kur procedojnë amandamente. I ftoj që të marrin pjesë në votim, por natyrisht përgjegjësia na bie neve, dhe kemi qenë në komunikim me deputetët e grupit parlamentar, por ende nuk jemi të sigurtë që nuk i kemi votat. Do ta procedojmë në momentin që i kemi ato.” – u shpreh ajo.
Kujtojmë se Kodi Civil po dështon të votohet në Kuvendin e Kosovës tash e dy vite. Një pjesë e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, janë shprehur publikisht kundër tij.