Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se hyrja në fuqi e Ligjit amerikan për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare përbën “lajmin më të mirë të ditës” për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.
Sipas Haradinajt, ligji rikonfirmon qartë politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj rajonit, duke refuzuar çdo ide për ndarje, shkëmbim territoresh apo ndryshim kufijsh mbi baza etnike.
Ai ka theksuar se dokumenti amerikan mbështet perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe integrimin euroatlantik të të gjithë Ballkanit Perëndimor.
Ky është postimi i tij i plotë:
Amerika krah Kosovës
Lajmi më i mirë i mundshëm i kësaj dite është rikonfirmimi i politikës amerikane ndaj Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi.
Ligji, tashmë në fuqi, për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, refuzon çdo ide për ndarje, shkëmbim territoresh apo ndryshim kufijsh mbi baza etnike.
E mbështetë perspektiven e anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe të krejt Ballkanit Perëndimor, që përputhet në plotni më përcaktimin tonë të kahmotshëm se anëtarësimi i Kosovës në NATO, është themeli i sigurisë dhe zhvillimit tonë si Shtet e shoqëri.
Ky Ligj përcakton qartë politikën amerikane, për zbatimin e Marrëveshjes për Normalizimin e marëdhënieve Kosovë-Serbi, me qëllim final NJOHJEN RECIPROKE.
Kjo është rikonfirmim i mbështetjes amerikane për demokracitë në Ballkanin Perëndimor, dhe cilido zyrtar i lartë, që punon kundër integritetit territorial të cilitdo shtet, cenon rendin demokratik, shkelë të drejtat e njeriut apo është i perfshirë në afera korruptive, do të sanksionohet sipas këtij Ligji.
Prandaj miqësia e partneriteti ynë me SHBA, ka qenë jetik në të gjitha fazat, përfshirë edhe synimin tonë final, anëtarësimin në NATO dhe BE, që është edhe thelbi i Programit të Aleancës!
Mirënjohje përjetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës!






