Seancat e Kuvendit të Kosovës shpesh janë të zhurmshme. Por, seanca e së enjtes ishte edhe e dhunshme. Debati eskaloi në përleshje fizike mes ministrave dhe deputetëve të pushtetit me ata të PDK-së.
Fillimisht PDK-ja ngjiti pllakate në foltore të Kuvendit, duke e paraqitur kryeministrin si Pinokio. Fotografia qëndroi fare pak meqë atë e laroi zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.
Pavarësisht këtyre lëvizjeve, kryeministri Albin Kurti vazhdoi të fliste. Atij më pas iu afrua për ta lagur me ujë deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.
Reagim të shpejtë karshi tij pati ministri Hekuran Murati, derisa zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e sulmoi me shishe Lushtakun.
Në përleshje brenda sekondash u përfshinë edhe ministra e deputetë të tjerë.
Reagoi edhe sigurimi i kryeministrit. Gjatë kacafytjes, kryekuvendari kërkonte qetësi e në një moment e ftoi policinë brenda sallës.
Ata qëndruan brenda në sallë derisa kryeministri u largua. Në përleshje në të cilën u dhanë shumë grushte nuk u përfshinë fare dy partitë e tjera opozitare, LDK e AAK.
Rreth tre orësh pas përleshjes, deputetët u kthyen në sallë. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: