Përgatiti: A.Hamiti & J.Ismaili
Graçanica mund të mos jetë më komunë e banuar me shumicë serbe. Ndonëse nuk është konfirmuar zyrtarisht, burimet i thanë ATV-së se nga procesi i regjistrimit të popullsisë, do të dalin më shumë shqiptarë sesa serbë.
Agjencia e Statistikave e Kosovës ishte e heshtur sa iu përket shifrave, teksa rezultatet preliminare i ka paralajmëruar vetëm për 12 korrik.
Sidoqoftë, Igor Jovanoviq, regjistrues nga Llapnasella, pretendon se 50% e komunitetit serb ka mbetur pa iu nënshtruar procesit të regjistrimit. Ai ankohet për numrin e vogël të personelit.
“Sa i përket tërë komunës së Graçanicës, fillimisht ne na mungonte numri adekuat i regjistruesve, pra s’kishim mjaftueshëm dhe brenda afatit të caktuar ishte e pamundur për ne të përfundojmë qarkun e tërë të regjistrimit. Prisnim nga ASK-ja që ta zgjasë afatin, por nuk ndodhi dhe në fund ASK-ja deklaroi se në komunën e Graçanicës u regjistruan 90 për qind e banorëve. Unë u them me shumë përgjegjësi gjë të cilën e di edhe ASK-ja që kjo nuk është e vërtetë. Le të dalin me rezultate dhe e shohin sepse me përgjegjësi u them më shumë se 50 për qind nuk janë regjistruar meqë nuk kishim mjaftueshëm anketues”, tha Jovanoviq.
Ndërkohë Branimir Stojanovic, banor i Graçanicës, thotë se në lagjen e tij regjistruesit as nuk kanë ardhur fare.
“Organizimi për procesin e regjistrimit të banorëve në Graçanicë ishte shumë i dobët, ndodhi që një numër i madh i banorëve serbë nuk u vizituan fare nga regjistruesit e ASK-së. Në lagjen time ku unë banoj dhe në fqinjësi nuk erdhi askush. Pastaj unë kam shkuar personalisht në zyrë për t’u regjistruar dhe teknikisht kjo ishte e pamundur, sepse imagjinoni nëse 2, 3 apo 5 mijë njerëz nga Graçanica do të shkonin aty të regjistrohen. Madje vetëm 1 anketues fliste serbisht, andaj them se organizimi ishte shumë i dobët. Them se të dhënat e regjistrimit nuk do të jenë të sakta dhe nuk do ta dëshmojë gjendjen në terren”, tha Stojanovic.
Statistikat që pritet të publikohen në mes të korrikut, sipas Kenan Gashit nga organizata AVONET mund të ndikojnë edhe në proceset politike në këtë komunë.
Ndryshe, Komuna e Graçanicës e cila ka sipërfaqe prej rreth 120 km2 me 17 zona kadastrale, kufizohet me Prishtinën, Lipjanin dhe Fushë-Kosovën.
Në regjistrimin e popullsisë të vitit 2011 ka numëruar mbi 10 mijë banorë. 7000 prej tyre ishin serbë, ndërkaq 2400 shqiptarë.






